RTSH 24 Live

Aktualitet

Rëndohen pozitat për Mollën dhe Qaton e çështjes “5D”, SPAK shton akuzën e pastrimit të parave

6 orë para

Rëndohen pozitat për Mollën dhe Qaton e çështjes “5D”, SPAK shton akuzën e pastrimit të parave

Prokuroria e Posaçme rëndon pozitat e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës të përfshirë në abuzimet me tenderët nëpërmjet kompanisë “5D”.

SPAK ju komunikoi akuzën e pastrimit të parave dy ish-drejtorëve, Redi Molla si dhe Mariglen Qato. Ata po mbahen me masën e  arrestit në burg dhe më errët  janë akuzuar për “Korrupsion pasiv” dhe “mosdeklarim të pasurisë”.

Nga hetimet e kryera deri më tani, SPAK dyshon se Molla dhe Qato paratë që i fitonin nga marrja abuzive e tenderave i investonin në biznese private.

Gjithashtu prokurorët dyshojnë se Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”. Kjo kompani ka rezultuar fituese në 11 procedura tenderimi në harkun kohorë të 6 viteve, nga 2016 deri në 2022.

Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion”.

Me akuzën e re Mollës dhe Qatos u zgjatet afati hetimor edhe një vit.

Po në seancën e kësaj të hënë, prokurori Klodian Braho kërkoi shtyrjen edhe me tre muaj të afateve hetimore për një tjetër drejtor të vënë në pranga nga e njëjta dosje.

Taulant Tusha, ish- Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, po hetohet për shkelje të barazisë në tenderët e fituara nga kompania “5D”. Ndërkohë që ai po mbahet në burg edhe për dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh.al/