RTSH 24 Live

Ekonomi

Rëndësia e hidrogjenit në Shqipëri, Gjermania: Duhet krijuar një aleancë e fortë me Ballkanin

12/02/2024

Rëndësia e hidrogjenit në Shqipëri, Gjermania: Duhet krijuar një aleancë e fortë me Ballkanin

Konfirmimi i pellgut natyror me hidrogjen në sasi të mëdha dhe afër sipërfaqes në Shqipëri e faktorizon vendin në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që planet e aleancës perëndimore janë deklaruar publikisht në shtatorin e kaluar.

Vjet presidentja e Këshillit Kombëtar për energjinë e hidrogjenit në Gjermani, Katherina Rajshe (Reiche), propozoi që qeveria gjermane të krijojë një Aleancë hidrogjeni me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Për pjesën e hidrogjenit mendoj që shohim dy pika të forta në rajon dhe sidomos te Shqipëria".

Znj. Rajshe arsyeton se si burim dhe si shpërndarje, hidrogjeni nga Shqipëria është nevojë për Europën.

“Keni një infrastrukturë depozituese tubacionesh gazsjellëse potenciale çka nënkupton që në një të atdhme të afërt, kjo infrastrukturë mund të përdoret për prodhimin e hidrogjenit, qoftë blu apo çfarëdo të jetë, sepse Europa vërtet ka nevojë për sasi të mëdha importi. Ju nuk do të mbuloni dot kërkesën e madhe për hidrogjen në të ardhmen për shkak të industrisë së rëndë dhe kështu që duhet të identifikoni partneritete për hidrogjen në të ardhmen.

Dhe ky rajon mund të jetë një partner vërtet i rëndësishëm sepse ka tubacionet, nuk do të kemi nevojë që të mendohet për transportimin e amoniakut. Kjo mund të ndodhë dhe mund të jetë rasti i krijimit të një aleance të fortë mes BP dhe BE pra për nevoja në Europë dhe për mënyrën e transportimit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Përveç aktiviteteve të qeverive në Australi, Kanada duhet të kthejmë sytë nga Ballkani për të ndërtuar një aleancë të tillë për hidrogjenin."

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka pranuar që kjo të jetë pjesë e strategjisë së vendit.

“Po është pjesë e strategjisë, siç e thatë.... është pjesë e së ardhmes së afërt dhe e strategjisë sonë. Dhe kjo është arsyeja që gjithmonë falenderojmë fatin që jemi në këtë pjesë të botës”, ka theksuar Rama. 

Forumi ekonomik gjerman "Dialogu i Berlinit" është mbajtur në shtator të vitit të kaluar.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/