1 miliard e 200 milionë euro është vlera e dërgesave nga mërgata nga muaj janar deri në tetor të këtij viti në Kosovë.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës kjo shifër paraqet rritje prej 10,9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Në statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për muajin tetor 2023, të publikuara nga BQK thuhet se vlera e tyre në atë muaj ishte 110.5 milionë euro.
Sipas raportit, prurjet më të mëdha e këtyre dërgesave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 60,4%, pasuar nga kanalet tjera me 24,2% dhe bankat me 15,4%.
Po ashtu sipas BQK-së për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, deri në muajin shtator vlera e tyre ishte 300,4 milionë euro.
Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.60 miliardë eurove.
Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit tetor 2023 janë rritur për 17,6 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 496,5 milionë eurove.
Gazetar Artur Mata
/ rtsh /