RTSH 24 Live

Politikë

Raporti i ODIHR për 14 majin, SHBA: Qeveria, partitë dhe institucionet të zbatojnë rekomandimet

03/10/2023

Raporti i ODIHR për 14 majin, SHBA: Qeveria, partitë dhe institucionet të zbatojnë rekomandimet

Ambasada e SHBA në Shqipëri mirëpriti të martën raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, i cili, sipas saj, “i përshkruan fushat me përmirësim të vazhdueshëm, por edhe mangësitë”.

Sipas një njoftimi për shtyp, Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit.

“Raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit në mënyrën e duhur, dekriminalizimin e shpifjes, si dhe mbështjetjen e gazetarisë së pavarur. Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konseguent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

BE: Aktorët të punojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zbatuar rekomandimet

Reagim ka pasur edhe nga delegacioni i BE-së, i cili edhe ai shprehet se ka mirëpritur publikimin e raportit përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në Shqipëri.

Sipas një njoftimi për shtyp, raporti konfirmoi se zgjedhjet ishin të mirëadministruara dhe konkurruese, por u shenjuan nga akuza për keqpërdorim e burimeve shtetërore dhe blerje votash.

“Delegacioni i BE-së nxit të gjithë aktorët që të punojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zbatuar rekomandimet e reja të Raportit dhe ato që janë ende pezull nga rekomandimet e mëparshme pa humbur kohë.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Britania: Rekomandimet e ODIHR të vihen në zbatim

Edhe ambasada britanike në Tiranë ka përshëndetur raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit në vend.

Në një reagim në platformën X, britanikët theksojnë se tashmë është e rëndësishme që rekomandimet e ODIHR të vihen në zbatim. 

Në reagim përmenden edhe problematikat kryesore të evidentuar nga misioni ndërkombëtar si keqpërdorimi i burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, shitblerja e votës, transparenca e financimit të fushatave të partive politike etj.

Britania e Madhe shprehet po ashtu se mbështet punën e Komisionit Ndërpartiak të Reformës Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë për të siguruar zbatimin e plotë të rekomandimeve.

Rekomandimet kryesore të raportit të ODIHR

Identifikimi dhe hetimi i pavarur i të gjitha pretendimeve për shkelje zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore;

Të rritet ndërgjegjësimi për fenomenin e kahershëm të blerjes së votës dhe dënimi publik i praktikave të tilla;

Zbatimi i masave mbrojtëse efektive që sigurojnë fshehtësinë e votës dhe parandalojnë frikësimin e votuesve, votimin në grup dhe në emër të përfaqësuesit;

Angazhimi për reformën zgjedhore dhe adresimi i të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it për të siguruar një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konsistent;

Rishikimi i dispozitave ligjore në lidhje me fushatën, përfshirë ato kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore, për të hequr paqartësitë dhe për të siguruar kushte të barabarta loje;

Sigurimi i zbatimit të drejtë të ligjit për të drejtën e informimit dhe mbështetja e gazetarisë së pavarur;

Sigurimi i stabilitetit të administratës zgjedhore duke përjashtuar zëvendësimet arbitrare të anëtarëve të administratës zgjedhore dhe duke rishikuar sistemin e emërimit të anëtarëve dhe sekretarëve të komisioneve të nivelit më të ulët;

Shmangia ose kufizimi i përdorimit të materialeve të paatribuara të prodhuara nga partitë ose autoritetet shtetërore në programet e lajmeve dhe informative gjatë fushatës zgjedhore.

/rtsh.al/