RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura, 100% në një mendje me BE-në

22/02/2024

Rama: Të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura, 100% në një mendje me BE-në

“Shqipëria është e para në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura”, ka qenë kjo deklarata e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me pr.ligjin e miratuar në seancën e sotme plenare vetëm me votat e PS-së, për Zonat e Mbrojtura.

Kreu i qeverisë u shpreh se ndryshimet e miratuara në ligjin për Zonat e Mbrojtura, forcojnë rrugën ambicioze të qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm.

Rama shprehet se në 10 vitet e fundit është bërë përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit.

“100% në një mendje me Bashkimin Europian! Me vizionin e Shqipëria 2030 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”, shkruan Rama në rrjetin social X. Mazhoranca miratoi me 74 vota pro pr.ligjin për Zonat e Mbrojtura. Demokratët refuzuan të votonin, ndërsa tentuan bllokimin e seancës plenare duke u shprehur kategorikisht kundër miratimit të këtij pr.ligji.

Ky pr/ligj u kundështua dhe organizatat kryesore mjedisore shqiptare të cilat protestuan para Parlamentit kundër miratimit të tij.

/rtsh.al/