RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Rrisim pensionet, kush abuzon me sigurimet shoqërore do arrestohet si hajdutët e energjisë elektrike

08/09/2024

Rama: Rrisim pensionet, kush abuzon me sigurimet shoqërore do arrestohet si hajdutët e energjisë elektrike

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste se qeveria do të rrisë pensionet ndërsa do të trajtojë njësoj si hajdutët e energjisë elektrike të gjithë ata që nuk u paguajnë punonjësve sigurimet shoqërore.

Rama tha se qeveria po punon për një plan kombëtar mbi sigurimet shoqërore dhe ky plan sipas kryeministrit do të synojë përfshirjen e pensionistëve në ndarjen e të ardhurave të rritjes ekonomike.

Javën e dytë të shtatorit do të nisim jo vetëm të ndajmë me pensionistët një pasqyrë të të dhënave dhe ideve tona për rritjen e pensioneve në rrugën e Shqipërisë 2030, por do të fillojmë edhe të informimin për zbatimin e një plani kombëtar për zbatimin e sigurimeve shoqërore. Ky plan për të cilin po punohet prej muajsh nga një grup ekspertësh nën drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të synojë pikërisht përfshirjen e pensionistëve në ndarjen e të ardhurave të rritjes ekonomike”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shpjegoi më tej se kush abuzon me të drejtën e punonjësve për sigurimet shoqëore do të trajtohet njësoj si hajdutët e energjisë elektrike.

Që sot mund të them se rritja e të ardhurave nga shteti për pensionistët nuk mund të jetë domethënëse nëse nuk i japim goditje fenomenit të neveritshëm të fshehjes së pagave reale të cilat për pasojë godasin në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhurat për sigurimet shoqërore dhe vjedhin çka u takon pensionistëve.

E thënë me fjalë të tjera, ne do të bëjmë me kuotat e sigurimeve shoqërore, atë që bëmë me faturat e energjisë elektrike. Ata që nuk u paguajnë sigurimet shoqërore sipas pagës së tyre reale do t’i trajtojmë njësoj si hajdutët e energjisë elektrike”, deklaroi më tej kryeministri Rama.

/rtsh.al/