RTSH 24 Live

Politikë

Rama pret medalistët e “Paris 2024”: Dje sportistët braktisnin Shqipërinë, sot adoptojmë të huajt

04/09/2024

Rama pret medalistët e “Paris 2024”: Dje sportistët braktisnin Shqipërinë, sot adoptojmë të huajt

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria është shndërruar në një vend kur deri dje braktisej nga sportistët ndërsa sot po adopton sportistë nga vendet e huaja. Duke folur në pritjen e organizuar në Kryeministri të dy medalistëve Chermen Valiev dhe Islam Dudaev (midis tyre ishte edhe Zelimkhan Abakarov i cili u kthye pa medalje nga Parisi) të cilët shkruan historinë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, Rama tha se këto medalje nuk janë të rënë nga qielli, por janë rezultat i një pune transformimesh.

Këto medalje nuk janë të rëna nga qielli por janë rezultat i një rruge transformimesh që kanë nisur në mbështetje të sportit. Edhe falë mundësisë që është krijuar për qeverinë me  zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të KOKSH që na ka dhënë një partner jashtëzakonisht këmbëngulës.

E ka kthyer marrëdhënien mes qeverisë dhe KOKSH në një marrëdhënie strategjike. Në vend të fjalimit mora një vendim të qeverisë së Shqipërisë që daton në dhjetor të vitit 2021 dhe mbështetet në ligjin për Sportin të vitit 2017 ku qartësisht synimi ishte që ta çonim në një nivel tjetër mbështetjen për sportistët dhe të krijonim një klimë tjetër të favorshme për ata që duan të zhvillojnë talentin e tyre në sport”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se sot nderohen dy sportistë që megjithëse nuk kanë lindur në Shqipëri, zgjodhën vendin tonë “për të vazhduar për të ushtruar pasionin e tyre dhe për të synuar majat e botës”.

Sipas Ramës, Shqipëria është shndërruar nga një vend që braktisej nga sportistët tashmë në një vend që adopton edhe sportistë të huaj.

Sot ne nderojmë dy sportistë të jashtëzakonshëm që nuk kanë lindur në Shqipëri, nuk e kanë filluar karrierën e tyre në Shqipëri por kanë zgjedhur Shqipërinë për të vazhduar për të ushtruar pasionin e tyre dhe për të synuar majat e botës. Shqipëria nga një vend që braktisej nga bijtë e vet sepse nuk i garantonte dot as ushqimin, dhe humbiste njëri pas tjetrit potenciale që ktheheshin për medalje ari për vendet fqinje, është kthyer në një vend që mund të adaptojë fëmijë që vijnë nga vendet e tjera. Nëse do të ishte Shqipëria e djeshme askush nuk do të vinte që të adoptohej nga ky vend dhe ta përfaqësonte këtë vend. Sot ka një arsye për të ardhur sidomos kur bëhet fjalë për sporte individuale. Shqipëria ka arritur të krijojë një kuadër mbështetje dhe më tërheqëset në rajon”, ka theksuar kryeministri.

/rtsh.al/