RTSH 24 Live

Politikë

Rama për televizionin grek: Të gatshëm të zgjidhim çështjen e detit, mbetjet e së shkuarës

9 orë para

Rama për televizionin grek: Të gatshëm të zgjidhim çështjen e detit, mbetjet e së shkuarës

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për televizionin grek MEGA, ka folur për një sërë çështjesh, që nga marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, çështjen e detit, integrimin në BE të vendit tonë, situatën në Europë dhe bisedimet mes SHBA dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Marrëdhëniet me vendin fqinj, Rama i konsideroi “të mira” pas një periudhe tensionesh që pasuan arrestimin e Fredi Belerit. Kryeministri ceku edhe ligjin e luftës dhe çështjen e detit, teksa theksoi se për Shqipërinë është shumë e rëndësishme që të dyja këto të zgjidhen.

“Në disa raste kemi qenë viktima të së shkuarës dhe më shumë sesa njëherë kemi pasur provën që jemi shumë shumë të ngjashëm, jemi kaq shumë ballaknikë, mesdhetarë dhe sërish vazhdojmë të mbetemi pengje të historisë sonë. Unë kam bërë një zgjedhje të qartë, historia mund të jetë ose një kurth i madh, pse një burim i madh për të ecur përpara. Sfida është ta shohësh historinë me sytë e së ardhmes dhe jo të ardhmen me sytë e historisë. Marrëdhëniet tani janë mirë, mund të ishin më mirë, për një farë kohe ishin keq për një çështje që ishte shumë e rëndësishme për palën greke ndërsa për ne ishte thjeshtë një çështje mes shumë çështjesh, por jemi në rregull tani.

Është e rëndësishme t’i jepet fund këtij ligji absurd të këtij ligji, duhet të shfuqizohet sepse ajo që ka ndodhur është që kemi nënshkruar  një traktat miqësie, por ligji vijon të jetë në fuqi. Kjo është marrëdhënia skizofrenike që kemi si fqinj. Ajo që kam thënë përherë dhe që ka thënë edhe kryeministri juaj është që na duhet të pastrojmë të gjitha mbetjet e së shkuarës dhe kjo është një prej tyre, përcaktimi i zonës detare është po kështu një çështje tjetër që duhet të zgjidhim”, tha Rama.

I pyetur nëse ka një datë se kur mund të çohet në Hagë çështja e detit, Rama se kjo kërkon që si Shqipëria ashtu edhe Greqia të punojnë lidhur me këtë “dhe të mos shpërqendrohen”.

Kërkon që të dyja palët të ulen e të punojnë dhe të mos shpërqendrohen nga gjërat që ndodhin”, theksoi Rama.

Rama komentoi edhe procesin e integrimit në BE, ku shprehu ambicien për anëtarësim e vendit në bashkësinë europiane brenda vitit 2030.

Integrimi në BE është një proces shtetndërtues demokratik. Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka ndryshuar në shumë mënyra. Duhet të bëjmë shumë më tepër. Agresioni rus për fat të keq erdhi në ndihmë duhej Putin që të shihnim se Evropa duhej të zgjohej, kemi një plan për ta përmbyllur të gjithë pjesën teknike, pastaj vjen pjesa politike. Objektivi im është që 2030 të na gjejë së bashku në të njëjtën familje të madhe”.

Për bisedimet mes SHBA dhe Rusisë për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë, Rama tha se pikëpyetja në këtë rast është për rolin e Europës.

Jetojmë në kohëra revolucionare. Ne duhet të jetojmë me të, të reagojmë ndaj kësaj, të mos ankohemi e të mos mendojmë se status quoja me të cilin jemi mësuar mund të na ndihmojë. Kur bëhet fjalë për këtë pyetja ime nuk ka të bëjë me SHBA e Rusinë por Europën. Çfarë po bën Europa në këto rrethana ku SHBA e Rusisë po diskutojnë për një gjë që ka të bëjë me Europën. Më duhet tju them se këto janë ato raste kur ndjej keqardhje për miq e kolegët e mi që janë në krye të Europës se ju duhet të bëjnë zgjedhje të vështira dhe nuk u kam aspak zili. Europa është projekti më i mrekullueshëm i njerëzimit, por kështu siç është Europa ngjan me një pacient me 27 mjekë. Nuk është panoramë që të jep forcë e siguri. Jo vetëm se janë 27 mjekë por dhe patologë”, tha Rama.

/rtsh.al/