I ftuar në studion e emisionit “Ngjarja Kryesore” në RTSH 1, drejtuar nga gazetarja Sonila Agostini, kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, shprehu shqetësimin për vështirësitë që përballen ata që janë jashtë sistemit politik shqiptar.
Sipas Shabanit, për t'u regjistruar në zgjedhje dhe për të marrë pjesë në to, një grupim politik si "Thurja" duhet të mbledhë një numër të madh firmash. Ai e cilësoi këtë proces një "garë të pabarabartë".
“Ata që janë jashtë sistemit, që nuk kanë një deputet, në rastin e “Nismës Thurje”, ne na duhet të mbledhim 5 mijë firma ose 5 mijë vota, 7 mijë në rast se koalicion, t’ia ekspozosh këto votues KQZ për t'u regjistruar në zgjedhje. Padyshim që kjo është një garë e pabarabartë. Nuk kam asgjë kundër politikanëve të ndershëm si Dashamir Shehi, por nuk është vetëm çështja e një individi. Ne jemi një grupim që kemi strukturat tona drejtuese, të cilat kanë hezitimet e ndryshme dhe shumë nga aktivistët tanë e quajnë edhe si përballje brezash”, u shpreh Shabani.
/rtsh.al/