Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në takimin me kryebashkiakët në Pogradec, ku u nënshkrua marrëveshje për krijimin e shoqërive të reja të Ujësjellësve në bashkitë e qarqeve Gjirokastër, Lezhë, Fier, Elbasan, Lushnje, nuk i ka kursyer kritikat ndaj drejtuesve të Ujësjellësve. Rama u ndal te punësimet pa kriter, teksa tha se kemi 6 herë më shumë punonjës ujësjellësi sesa duhen. Duke e konsideruar “kriminale”, Rama u shpreh se kjo praktikë e punësimit “në rrugët e krushqive” duhet të marrë fund.
“Ne kemi 6 herë më shumë punonjës ujësjellësi sesa na duhen. Nga vinë këta? Nga rrugët e krushqive. Po nuk mund të bësh dot politikë sociale punësimi me ndërmarrjet. Nëse kemi pas sukses me energjinë është se kthyem OSHE nga një rifuxho njerëzish që i fusnin deputetët dhe krushqit. Ndërkohë që në ujësjellësa është një gjë e paimagjinueshme dhe kjo marrëveshje që është një tërësi ndërvarësish midis bashkisë dhe qeverisë, do të bëjë që kjo praktikë sociale se kjo është në thonjëza sociale, në të vërtetë kriminale dhe që duhet të marrë fund, në lidhje me financat e shtetit”, tha Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë u shpreh se kërkesa e tyre për të mos paguar më shumë se gjysmën e kostos së energjisë elektrike që harxhojnë nuk mund të pranohet, në kushtet kur e gjithë bota po përballet me krizë të energjisë elektrike.
“Në kushtet kur kostot e energjisë janë bërë marramendëse, ju e doni që t’i faturoni arkës së shtetit jo vetëm koston e rritur, por më shumë se gjysmën e të gjithë energjisë që harxhoni. Ju doni të mos paguani më shumë se gjysmën e energjisë. Kjo nuk mund të ndodhi më se nuk është gjysma e energjisë që ishte para se të fillonte kjo kriza e tmerrshme por është më shumë se gjysma e energjisë në kushtet kur kjo kushton sa qimet e kokës. Problemi tani është ka apo s’ka energji se edhe mund të kesh lekët por s’ka energji”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/