RTSH 24 Live

Kosova

Propozimi i Ramës për Asociacionin, Konjufca: nuk duhej të bënte veprime pa u ulur me kryeministrin e Kosovës

10/06/2023

Propozimi i Ramës për Asociacionin, Konjufca: nuk duhej të bënte veprime pa u ulur me kryeministrin e Kosovës

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka konsideruar të gabuar iniciativën e kryeministrit Edi Rama, cili i ka dorëzuar një draft të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Në fjalën e tij pas manifestimit të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Konjufca tha se kryeministri Rama nuk duhej të bënte veprime të tilla pa u konsultuar më parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje  e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash por asnjëri nuk ka pas efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh mendoj, por ky ishte një veprim i anshëm”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama, gjatë kësaj jave bëri të ditur se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Sipas Ramës, drafti është dokument konfidencial dhe dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ky dokument në bazë të raportimeve të premten është vlerësuar si serioz nga Bashkimi Evropian.

/rtsh.al/