RTSH 24 Live

Politikë

Propozime për votën e diasporës, Gjiknuri: Gati për konsensus për formulën e shpërndarjes së mandateve!

28/06/2024

Propozime për votën e diasporës, Gjiknuri: Gati për konsensus për formulën e shpërndarjes së mandateve!

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore në Grupin për Dialogun, Damian Gjiknuri deklaroi të premten se mazhoranca është e gatshme të financojë votimin dhe numërimin elektronik në 5 qarqe kryesore, ndërkohë që opozita duket se është tërhequr nga një kërkesë e tillë.

Në përfundim të mbledhjes së grupit të Dialogut për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri u shpreh për median se mbeten për t’u adresuar dy çështje të rëndësishme, vota e emigrantëve dhe llogaritja e herësit.

“Dy çështje themelore që mbeten për t’u adresuar dhe që ne si mazhorancë, nëse nuk do të ketë dakordësi natyrshëm do t’i iniciojnë propozimet tona. E para ka të bëjë me votën e diasporës për të cilën kemi marrë propozimin që kanë bërë kolegë të opozitës para 1 viti, përfshirë edhe shoqatat e diasporës, duke siguruar që vota të llogaritet në qarqet respektive ku kanë pasur vendbanimin e fundit votuesit. E dyta, lehtësia e procedurës së regjistrimit përmes KQZ-së dhe më pas në gjendjen civile përmes deklarimit të adresës dhe standardeve të thjeshtuara”, u shpreh ai.

Kjo, sipas tij, do të jetë baza e projektligjit që ka të bëjë me votën e diasporës, ndërkohë që detajet teknike do t’i lihen KQZ-së.

“Çështja e dytë që mbetet për t’u adresuar është çështja e herësit, apo formulës së shpërndarjes së mandateve brenda forcës politike. Këtu ne jemi të hapur për konsensus. Do të diskutojmë dhe do të dalim me propozimet tona për sa i përket shpërndarjes së mandateve brenda listave të partive dhe nëse do të ketë dakordësi do të bihet dakord me këto ndryshime. Në të kundërt me Kodin Zgjedhor në fuqi listën mund ta interpretojë KQZ-së si e hapur plotësisht, nëse gjithë klasa politike do ta pranojë këtë”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri theksoi se ka dhënë garanci nga ana e mazhorancës që “ne jemi të gatshëm të financojmë votimin dhe numërimin elektronik në 4 apo 5 qarqe të mëdha, në qarqet kryesore të vendit që kanë edhe më shumë mandate”.

“PD ka dy mendje, tashmë ka filluar të heqë dorë edhe nga votimi dhe numërimi elektronik. Nuk ka më besim mesa duket edhe pse ka qenë ndër kërkesat e tyre në të kaluarën. Unë si përfaqësues i mazhorancës iu ofrova të kishim një marrëveshje. Pjesën tjetër ata gjithçka e kanë të kushtëzuar me 5 qershorin, por me këtë pikë unë nuk i ndihmoj dot. Nuk mund të rrijë vendi peng i një date që i përket 4 viteve më parë, një datë që thjesht ka vlerë kalendarike”, tha ai.

Gjiknuri theksoi se nëse opozita nuk është dakord nuk do të miratohet vota e diasporës.

“Ne do të bëjmë një propozim siç e kanë sjellë deputetët e opozitës dhe shoqatat e diasporës, nëse nuk duan do t’i themi publikut shqiptar opozita nuk do”, tha ai.

Ndërkohë Gjiknuri bëri të ditur se Grupi i Diaologut mund të vazhdojë të dialogojë nëse ka ndonjë diskutim të minutës së fundit.

“I pres të reflektojnë. Çështja e 5 qershorit është e ezauruar. Ne do të vazhdojmë me iniciativën tonë sepse brenda korrikut ligji duhet të miratohet që KQZ e të tjerë të kenë kohën e duhur. Në shtator mund të dekretohet edhe data e zgjedhjeve. Zgjedhjet do të zhvillohen në fund të prillit ose fillim të majit, ndaj brenda korrikut ne duhet të miratojmë ndryshimet ligjore nëse ka dakordësi. Nëse nuk ka dakordësi kodi në fuqi mundëson zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Gjiknuri.

Ai shprehu bindjen se nëse miratohet brenda korrikut, vota e diasporës është e realizueshme.

/ rtsh.al /