RTSH 24 Live

Aktualitet

Projektligji për ndryshimet klimatike, 3 milionë euro asistencë gjermane

2 orë para

Projektligji për ndryshimet klimatike, 3 milionë euro asistencë gjermane

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, paraqiti të enjten në kuvend, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë mbi bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri”.

Si nismëtare e këtij projektligji, Kumbaro tha se, ky ligj vjen në një muaj siç është “tetori gjerman” dhe Gjermania është një partner strategjik sidomos në marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e klimës dhe të mjedisit.

“Me bankën gjermane KfW, jemi duke financuar projekte shumë të rëndësishme infrastrukturore si në fushën e ujësjellës-kanalizimeve ashtu edhe në menaxhimin e integruar të mbetjeve, siç është sistemi i menaxhimit të integruar të mbetjeve në Korçë”, u shpreh ministrja.

Sipas ministres Kumbaro, një pjesë të financimeve që vijnë nga Gjermania i marrim në formën e granteve dhe në bashkëpunim me GIZ-in janë ndërtuar modele të suksesshme me donacione të qeverisë gjermane.

“Sot sjellim një marrëveshje të re për ta miratuar dhe ratifikuar si projektligj, që është “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri”. Bëhet fjalë për 3 milionë euro asistencë. Shqipëria nuk është vend që ndikon në ndryshimet klimatike, por është vend që pëson”, tha ministrja Kumbaro.

Këto 3 milionë euro, për të cilat Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është koordinator i programit, janë financime që do të shkojnë në favor të agjencive kombëtare: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe sidomos bashkitë e zonave bregdetare të vendit, të cilat vuajnë më së shumti pasojat e ndryshimeve klimatike.

/ rtsh.al /