RTSH 24 Live

Aktualitet

Profesori në Prishtinë akuzohet për ngacmime seksuale, gazetarja: Nuk është rasti i vetëm në këtë universitet

24/04/2024

Profesori në Prishtinë akuzohet për ngacmime seksuale, gazetarja: Nuk është rasti i vetëm në këtë universitet

Një profesor në Universitetin e Prishtinës është akuzuar për të paktën 27 raste për ngacmime seksuale, ku Këshilli i Etikës ka vendosur pezullimin e tij. Ky vendim nuk është mirëpritur nga studentët, të cilët kanë protestuar pasi kërkojnë pezullimin e tij.

Gazetarja nga Kosova Anita Nikaj tha për “Jetë Shqiptare” në RTSH se çështja është në duart e prokurorisë dhe nëse ajo e shpall të pafajshëm pasi nuk ka prova të dokumentuara, profesori rikthehet sërish në auditore.

“Vendimi i këshillit të etikës është i jashtëligjshme pasi duhet të ketë 5 anëtarë nga 4 që ka. Këshilli pezulloi profesorin deri në vendimin e ardhshëm që do merret nga prokuroria. Nëse ajo vendos mos me ndjek këtë rast profesori ka të drejtë për t’u rikthyer sërish në vendin e punës në Universitetin e Prishtinës. Vendimi i marrë nga 4 anëtar nuk është i ligjshëm. Për me qenë vendimi më i saktë ky profesor duhet të përjashtohet nga Universiteti i Prishtinës. Kemi 27 raste që e akuzojnë për ngacmim dhe meqë çështja u bë mediatike, polica mori përsipër çështjen.  Profesori ka gjasa të rikthehet sërish në auditor pasi nuk ka prova të dokumentuara dhe se në të ardhmen mund edhe të padisë universitetin e  Prishtinës. Ai është larguar edhe nga një shkollë e mesme për akuza të njëjta për ngacmim”, tha Nikaj.

Për gazetaren Nikaj është pikërisht mundësia e lartë për rikthimit të profesorit në auditor që ka nxitur dhe protestat e studentëve. Ajo tha se ky nuk është rasti i vetëm, pasi sipas saj në Universitetin e Prishtinës ka një zinxhirë profesorësh që ngacmojnë studentet.

“Profesori mendon se njerëz të tjerë fshihen pas akuzave pasi mohon ngacmimet. Në universitetin e Prishtinës ka një zinxhirë profesorësh në Universitetin e Prishtinës që bëjë ngacmime seksuale ndaj studentëve”, tha ajo.

/rtsh.al/