RTSH 24 Live

Aktualitet

Gazetari Fevziu në podkastin e kryeministrit“Flasim”: Sot kemi kaos mediatik!

04/05/2024

Gazetari Fevziu në podkastin e kryeministrit“Flasim”: Sot kemi kaos mediatik!

Liria e medies dhe problematikat me të cilat ajo ndeshet në realitetin e sotëm ishte tema e Podkastit “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama. I ftuari i tij ishte gazetari Blendi Fevziu.

Në vlerësimin e tij mbi realitetin mediatik në Shqipëri dhe në botë, zoti Fevziu u shpreh se “është shumë e vërtetë që sot është një kaos mediatik".  "Gjithkush mund të bëhet gazetar, mjafton të kesh një llogari në rrjetet sociale” tha ai.

Zoti Fevziu foli edhe për problematikat e medias në Shqipëri. Ai u ndal në raportet që kanë gazetarët shqiptarë me pronarët që nuk i paguajnë as rrogat e orët jashtë orarit, si dhe me presionet që vijnë nga njerëz të fuqishëm politikë të çdo lloji.

Gazetari Fevziu shprehu shqetësimin për shkeljen e parimit bazë të gazetarisë klasike, ku lajmi publikohej me minimumi dy burime. “Me kalimin e kohës, me daljen e rrjeteve online në gjithë botën jepet vetëm versioni që atij i pëlqen dhe e përjashton mendimin tjetër. Kjo sjell që njerëzit të mos i lexojnë dot të dyja qëndrimet. Në Shqipëri ky fenomen përzihet me problematikën që vjen nga abuzimi me profesionin”, tha ai.

“Abuzimi me këtë privilegj të medies sidomos te njerëzit e thjesht, është një nga gjërat që personalisht më dhemb dhe kjo është globale”, tha në Podkastin “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama, gazetari  Blendi Fevziu.

 

 

/ rtsh.al /