Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre Infrastrukturës dhe Energjisë, ishte sot në fshatin Allkaj në Lushnjë në fidanishten “Agro Sina”, “ku përgatiten fidanë për produkte të ndryshme bujqësore që tregtohen kudo nëpër Shqipëri”.
Fermeri Beshir Sina së bashku më të birin e tij, Marjolin, thanë se merren me këtë biznes prej 13 vitesh dhe punon jo vetëm për brenda vendit por bashkëpunon edhe me shumë kompani nga vende evropiane si Spanja, Franca, Bullgaria.
Ai tha se, ka investuar në kultivimin e fidanëve në serra me teknologji të lartë, me një strukturë që mbështetet në sistemin novativ të klimës dhe ujitjes, për matjen e parametrave të kushteve te brendshme.
Balluku e cilësoi fidanishten “Agro Sina” një nga pikat e shpërndarjes së farës dhe të fidanishtes më të njohur në bashkinë Lushnjë.
“Më këtë biznes merremi prej rreth 13 vitesh. Kemi përdorur metoda shartimi që bimët të prodhojmë më shumë. Kemi një ngarkesë të madhe. 1 milion e gjysmë fidanë për t’u shartuar deri në prill”, tha fermeri.
“Ne synojmë që sistemi rrënjor i bimëve të jetë i fuqishëm. Shartesat janë të tilla që i rezistojnë më shumë kripërave, pasi Myzeqeja ka shumë kripëra”, shtoi ai.
Më tej ministrja theksoi se “është detyrë për të gjithë ne që të mbështesim këtë sektor kaq të rëndësishëm në bujqësi duke njohur vështirësitë, por nga ana tjetër duke njohur edhe të gjitha përpjekjet që ju bëni edhe në emër të fermerëve të Myzeqesë”.
Kjo serrë ka një rëndësi strategjike në këtë zonë, e cila dallohet për aktivitet të lartë bujqësor, duke mundësuar edhe furnizimin me fidanë të fermerëve përreth.
/rtsh.al/