Në qytetin e Elbasanit vërehet një rritje e numrit të fëmijëve, të cilët shfaqin vështirësi në të folur.
Moshat variojnë, duke nisur nga kopshtet, parashkollori dhe deri tek arsimi fillor.
Mjekët theksojnë që një ndër shkaqet kryesore që fëmijët kanë vështirësi në të folur mbetet pjesa e përdorimit të tejzgjatur të telefonit.
Lënia vetëm e fëmijës në momente të caktuara mbetet një tjetër shkak.
Specialistët japin disa këshilla për prindërit
"Është shumë gabim që ne prindërit ta ushqejmë fëmijën duke përdorur një iPad, një telefon, një kompjuter. Duhet që të ulemi dhe të punojmë me fëmijën si në pjesën e ushqimit, të edukimit, të folurit, pra, fëmijët duhet të kenë vëmendjen tonë," thotë logopedia Eva Shabani.
Për psikologen Sonila Jahupashi, prindërit duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe nuk duhet t'i krahasojnë fëmijët, sepse kjo bën që shumë të mbyllen në vetvete, duke sjellë më pas edhe probleme dhe vështirësi në të folur.
"Krahasimi gjithmonë than shpirtin. Fol mirë, fol si unë, fol si vëllai i madh, ngjaji motrës dhe problematika të tjera që vijnë nga familjarët, sigurisht me dashje apo pa dashje, i bëjnë keq fëmijës, sepse e bëjnë të ndihet i pavlerë dhe i krahasueshëm me të tjerët, se nuk i arrin dot ata," shpjegon znj. Jahupashi.
Çrregullimet në të folur prekin 3 për qind të popullsisë, por kjo përqindje rritet ndjeshëm tek fëmijët e moshës 2–6 vjeç.
Specialistët këshillojnë prindërit që t'i drejtohen atyre sapo ta vënë re këtë problem tek fëmijët.
/rtsh.al/