RTSH 24 Live

Aktualitet

Prezantohet projekti i portit të ri të mallrave që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, ja çfarë përfiton Prishtina

20/06/2022

Prezantohet projekti i portit të ri të mallrave që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, ja çfarë përfiton Prishtina
Foto nga projekti i portit të ri

Nuk mjafton Porto Romano për të zëvendësuar portin 3 mijë vjeçar të Durrësit. Befasia e projektuesve holandezë të portit të ri të bregdetit të Adriatikut është Prishtina. Porti do të jetë pjesë e shtetit të Kosovës, aq sa edhe e Shqipërisë.

Projekti i ri është prezantuar në zyrën e kryeministrit dhe ka marrë vlerësimet e tij. Vepra, për të cilën synimi është që të jetë porta hyrëse në Ballkanin Perëndimor, po realizohet falë një pune të përbashkët me partnerët shqiptarë. Infrastruktura e vjetër tashmë e amortizuar e portit aktual, e cila shkakton ndotje dhe kaos në mjedis, do të transformohet falë projektit në një arkitekturë model.

Sipas projektuesve holandezë, porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik, “si mundësi që ju të krijoni një portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh drejtuesi i grupit projektues.

Vijimi i këtij investimi, pas debateve të shumta për tjetërsimin e portit 3 mijë vjeçar, mbetet një nga sfidat më të mëdha të qeverisjes, pas idesë për investimin 2 miliardë euro në Portin e Durrësit nga kompania EMAAR e Emirateve Arabe.

Transferimi i shërbimit të përpunimit të mallrave nga Porti i Durrësit te koncesionari i naftës në Porto Romano, i vlerësuar si jo shumë i përshtatshëm për t’u zhvilluar si port për mallrat  dhe  me mungesë të logjistikës, i ka bërë projektuesit shqiptarë dhe holandezë të shkojnë më tej me synimet dhe interesat e tyre gjeopolitike. Sfidës për investimin e arabëve, i shtohet tani sfida e investimit në shtetin e Kosovës që ofron një projekt jo më të Shqipërisë, po të Ballkanit Perëndimor.

Ndërtimi i Portit të ri të mallrave duket si i jep fund një seri pikëpyetjesh që lidheshin me fizibilitetin e projektit, kohën e shkurtër, pozitën gjeografike dhe lidhjen me infrastrukturën kryesore intermodale, kostot dhe mënyrën e investimit.

Ekspertët e fushës thonë se, nga pikëpamja e interesit ekonomik, shndërrimi i Portit të Durrësit vetëm për shërbime të turizmit nga kompania më e madhe në botë e zhvillimit të hapësirave bregdetare, EMAAR, do ta çojë në një dimension tjetër infrastrukturën turistike të vendit, me gjasë nxitjen edhe të sektorëve të tjerë.

Studimet e deritanishme treguan se Porto Romano nuk ishte vendi më i mirë për një port të tillë, pasi është në det të hapur dhe i pambrojtur nga erërat, deti është i cekët dhe aktualisht operojnë dy terminale private dhe nuk ka shumë hapësira portuale dhe ligjore për manovrim. Por gjetjet e holandezëve duket se i shuajnë këto pikëpyetje.

Transferimi i shërbimeve i lidhur me investimet në infrastrukturën lidhëse si hekurudha, sheshet e përpunimit dhe logjistika  që shkon deri në Prishtinë, e bën Portin e ri të Durrësit, ndërmarrjen më të madhe portuale në vend me pronësi publike, prej të cilit zhvillohet gati 80% e tregtisë së mallrave. Kjo ofron teknikisht leverdinë për të investuar mbi 500 milionë euro për portin e ri.

Sikurse dihet, në vitin 2011, Agjencia Shqiptare e Investimeve, AIDA, ftoi investitorët të shndërronin Porto Romanon në një port për përpunimin e mallrave së bashku me zhvillimin e zonës ekonomike të Spitallës kundrejt një investimi prej 800 milionë eurosh. Por kriza globale e pas vitit 2008 pengoi interesin e investitorëve potencialë. Tani projekti është gati dhe afron atë që nuk besohej, Durrësin dhe Prishtinën në një korridor të lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve si asnjëherë tjetër. Pozicioni i favorshëm gjeografik e bën portin e Durrësit portin më të madh në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në detin Adriatik dhe Jon si dhe një nyje shumë të rëndësishme për tregun ndërkombëtar.

/rtsh.al/