RTSH 24 Live

Kulturë

Presidenti Meta dekoron pas vdekjes Hueyda El Saied me titullin "Mjeshtër i Madh"

24/06/2022

Presidenti Meta dekoron pas vdekjes Hueyda El Saied me titullin "Mjeshtër i Madh"

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” artisten, juristen, aktivisten e të drejtave të njeriut, Hueyda El Saied pas ndarjes së saj nga jeta.

Kreu i shtetit shkruan se Hueyda ka dhënë kontribut të pasur në art dhe përkushtimi i saj për të drejtat e njeriut është dëshmues i dëshirës dhe dashurisë së saj për jetën. Meta ia ka dorëzuar dekoratën djalit të Hueydës dhe bashkëshortit të saj.

Mes shumë emocioneve, vlerësova sot në praninë e dhjetëra artistëve, intelektualëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, një simbol të mirësisë dhe suksesit, që na mungon të gjithëve, artisten, juristen dhe aktivisten e shquar të të drejtave të njeriut, të paharruarën Hueyda El Saied.

Huejda u largua shumë shpejt nga jeta, kur kishte ende shumë për të dhënë. Megjithatë ajo përmbushi me dinamizëm ciklin e një jete të tërë, plot arritje dhe shkëlqim.

Kontributi shumë i pasur në art dhe përkushtimi i saj i vazhdueshëm human e për të drejtat e njeriut, dëshmojnë në thelb dëshirën dhe dashurinë e saj për jetën dhe për ta jetuar atë.

Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, i akordova Titullin “Mjeshtër i Madh”, duke ja dorëzuar djalit të saj të vogël Gabriel dhe bashkëshortit Thierry.

Gjithmonë do ta respektojmë kujtimin dhe trashëgiminë artistike të Hueyda El Saied, një model i përhershëm frymëzimi dhe referimi për të rinjtë!”, shkruan presidenti Meta.

/rtsh.al/