RTSH 24 Live

Botë

Presidenti koreano-jugor do të vazhdojë bisedimet e paqes me Korenë e Veriut

25/10/2021

Presidenti koreano-jugor do të vazhdojë bisedimet e paqes me Korenë e Veriut

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in deklaroi se do të përpiqet të vendosë paqen dhe dialogun me Korenë e Veriut për aq kohë sa është në detyrë.

Në fjalimin e tij në parlament, Moon tha se do të "punojë deri në fund për të ndihmuar në vendosjen e një rendi të ri paqeje përmes dialogut dhe diplomacisë" në Gadishullin Korean.

Udhëheqësi i Koresë së Jugut tha se ai ndihmoi në organizimin e samitit, ku ish-presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij koreano-verior Kim Jong-un u takuan për herë të parë më 12 qershor 2018, por se përpjekjet e tyre për paqen nuk kanë përfunduar ende.

Mandati i Moon, i cili luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e negociatave bërthamore midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut, skadon në maj të vitit 2022.

Kundërshtarët thonë se qasja e lartpërmendur e Moon-it dobësoi presionin ndërkombëtar ndaj fqinjëve të tij veriorë, të cilët shfaqën një qëndrim konstruktiv në Gadishullin Korean gjatë gjithë udhëheqjes së tij.

Nga ana tjetër Moon shihet nga mbështetësit e tij si një ndërmjetës për ndërtimin e paqes.

Testet raketore të Koresë së Veriut përshkallëzojnë tensionet

Koreja e Veriut, e cila nuk ka marrë pjesë në negociatat bërthamore për rreth 2 vjet, stërvitjen e përbashkët ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut në gusht e perceptoi si një kërcënim dhe së fundmi ka shtuar testet e saj raketore.

Koreja e Veriut më 15 shtator kreu teste balistike me rreze të shkurtër dhe teste raketash më 28 shtator, të cilat Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë së Veriut i përshkroi si "hipersonik i sapo zhvilluar".

Nga ana tjetër, Koreja e Veriut, e cila testoi një "raketë të re balistike të lëshuar nga një nëndetëse" më 19 tetor, u përball me reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

Ministria e Punëve të Jashtme të Koresë së Veriut deklaroi se testet e raketave në fjalë ishin "ushtrim ligjor i të drejtës së vetëmbrojtjes".

Negociatat bërthamore mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim u takuan për herë të parë në Singapor më 12 qershor 2018 dhe ranë dakord për denuklearizimin e Gadishullit Korean dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme.

Të dy liderët u takuan edhe një herë në Vietnam më 26-27 shkurt 2019, por samiti përfundoi më shpejt se sa pritej dhe pa një marrëveshje. Së fundmi, më 30 qershor 2019, të dy liderët u takuan në zonën e demilitarizuar midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut dhe vendosën të vazhdojnë procesin e negociatave bërthamore.

Takimet në nivel pune midis dy vendeve të mbajtura në Suedi në tetor 2019 u ndërprenë sepse, sipas koreano-veriorëve, amerikanët vazhduan "qëndrimet e tyre të vjetra"./AA