RTSH 24 Live

Aktualitet

Premtonin punësim të sigurtë në Britani, pranga gruas nga Fieri që zhvaste shqiptarët

07/04/2021

Premtonin punësim të sigurtë në Britani, pranga gruas nga Fieri që zhvaste shqiptarët

Një operacion policor i zhvilluar nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë vënë në pranga një grua nga Fieri, për mashtrim të qytetarëve. Policia njofton se gruaja me inicialet E. T., në bashkëpunimin me dy persona të tjerë, mashtronin shtetas të ndryshëm duke i marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin për pajisjen me vizë pune për në Mbreterinë e Bashkuar.

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Udhëtimi i sigurt", në kuadër të të cilit bënë ndalimin e shtetases E. T., 39 vjeçe, banuese në Fier. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit me inicialet E. M. dhe J. D. (për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera). Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin për pajisjen me vizë pune për në Mbreterinë e Bashkuar dhe paisjen me certifikatë të falsifikuar të gjuhës angleze. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në euro dhe në lekë, si dhe 2 aparate celular.", njofton policia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.