Kryeministri polak Donald Tusk bëri të shtunën me dije se planifikon të pezullojë pjesërisht të drejtën për azil për migrantët e jashtëligjshëm. Ai akuzoi trafikantët e qenieve njerëzore dhe vende si Rusia dhe Bjellorusia për abuzim të sistemit. "Shteti duhet të rimarrë 100 përqind nën kotroll se kush hyn dhe largohet nga Polonia. Në mbledhjen e qeverisë që do të mbahet të martën do të miratojmë pezullimin territorial të së drejtës për azil. Do të reduktojmë në minimum migracionin e jashtëligjshëm", u shpreh Tusk, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Që nga viti 2021, Polonia është përballur me presione migratore në kufrin e saj me Bjellorusinë. Qeveritë e mëparshme polake kanë akuzuar Minskun, por edhe Rusinë se në mënyrë të qëllimshme tërhiqnin migrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika në atë kufi në mënyrë që të destabilizonin perëndimin. " E dimë shumë mirë se si presidenti Bjellorus dhe ai rus, si dhe trafikantët e qenieve njerëzore përdorin sistemin tonë të azilit. Mënrya se si përdoret e drejta për azil është plotësisht në kundërshtim me thelbin e kësaj të drejte" u shpreh Tusk, që dikur ka qenë president i Këshillit Europian. Ai theksoi se do ti kërkonte BE të pranonte propozimin e tij. "Nuk do të respektojmë apo zbatojmë ndonjë ide europiane që pengon sigurinë tonë", vijoi mëtej Tusk, duke iu referuar paktit europian për migracionin. Të mërkurën që lamë pas, Polonia, por edhe Republika çeke bënë thirrje që BE të ndërmerret një përqasje më të ashpër ndaj migracionit të jashtligjshëm se sa ajo që parashikohet në paktin e ri të bllokut për migracionin dhe azilin i cili pritet të hyjë në fuqi në 2026-ën.
Gazetare Elda Pepa
/ rtsh.al /