RTSH 24 Live

Politikë

Politika shqiptare përshëndet vendimin e Asamblesë Parlamentare të KiE për anëtarësimin e Kosovës

16/04/2024

Politika shqiptare përshëndet vendimin e Asamblesë Parlamentare të KiE për anëtarësimin e Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në KiE, vendim që është mirëpritur nga krerët e politikës shqiptare. Presidenti i vendit, Bajram Begaj përshëndeti votimin, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e konsideron një “sukses të merituar” për Kosovën. Kreu i qeverisë, Edi Rama e konsideroi si një "hap historik".

Begaj: Përshëndes vendimin, të presim hapin final

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare i tha ‘Po’ Kosovës, duke thënë se tashmë Kosovës i duhet vetëm hapi final në maji për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj, përshëndet vendimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).

“Falënderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Tashmë pritet vetëm hapi final në maj, i cili shënon edhe momentin e merituar për të festuar” shkruan ndër të tjera Presidenti Begaj në mesazhin e tij.

Rama: Një hap historik sapo u hodh, mirëpresim hapin e fundit për vulosjen anëtarësimit

Votimin pro anëtarësimit të Kosovës në KiE nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është mirëpritur edhe nga kryeministri Edi Rama. Teksa e konsideron një hap historik, Rama shprehet se tani mirëpresim hapin e fundit në maj, në Komitetin e Ministrave, për vulosjen e këtij anëtarësimi.

“Një hap historik sapo u hodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës për pranimin e Kosovës si anëtar i komunitetit të shteteve të KiE.

Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës

Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur: VULOSJEN E KËTIJ ANËTARËSIMI pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm

Forca KOSOVË”, shkruan në reagimin në Facebook, kryeministri.

Nikolla: Sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndet votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për pranimin e Kosovës në KiE: Një lajm i gëzueshëm për një sukses të merituar

“Votimi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i pranimit të Kosovës në KiE dhe përcjellja e Komitetit të Ministrave për vendimmarrjen përfundimtare është një lajm i gëzueshëm për një sukses të merituar.

Prej aplikimit të Kosovës dhe deri sot, Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet delegacionit në AP të KiE dhe diplomacisë parlamentare intensive, ka lobuar fort për arritjen e këtij objektivi politik kombëtar.

Sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas.

Hasani: Një tjetër moment historik për Kosovën.

Ministri i Jashtëm ka përshëndetur votimin pro të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimit e Kosovës në KiE. Përmes një postimi në rrjete sociale ministri Hasani shkruan se votimi pro është një moment tjetër historik për Kosovën.

Një tjetër moment historik për Kosovën. Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës është një njohje e progresit dhe potencialit të saj. Është një hap vendimtar drejt rritjes së bashkëpunimit, stabilitetit dhe prosperitetit për popullin e Kosovës. Është një dëshmi e përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave evropiane. Hapi tjetër: Komiteti i Ministrave”, shkruan ministri.

 

/rtsh.al/