RTSH 24 Live

Serbi

Policia: Masakra në shkollë ishte e planifikuar prej një muaji. Serbia shpall 3 ditë zie

03/05/2023

Policia: Masakra në shkollë ishte e planifikuar prej një muaji. Serbia shpall 3 ditë zie

Qeveria shpalli tre ditë zie në të gjithë Serbinë, në datat 5 - 7 maj,  në nder të viktimave të masakrës në shkollën fillore në Beograd.

Një 14 vjeçar vrau me armën e të atit 8 nxënës të moshës 12 - 14 vjeç si dhe një roje sigurie, ndërsa plagosi 6 nxënës të tjerë dhe një mësues.

Shefi i policisë së Beogradit, Veselin Miliç tha se autori i masakrës e kishte planifikuar sulmin për të paktën një muaj.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Milic tha se djali kishte një hartë të shkollës dhe një listë të nxënësve për të vrarë. Ishte vetë 14 vjeçari i cili kishte thirrur policinë dhe kishte njoftuar se kishte qëlluar shumë persona, por pa sqaruar arsyen e masakrës, të kryer me një pistoletë të kalibrit nëntë në pronësi të babait të tij. Djali, gjithashtu kishte pasur edhe katër kokteje molotov dhe kishte planifikuar në detaje se në cilat klasa do të shkonte së pari.

Konferenca për shtyp, ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Arsimit të vendit Branko Ružić, Ministrja e Shëndetësisë Danica Grujičić, nisi me një minutë heshtje.

"I lutemi Zotit t'i ndihmojë të gjithë ata të shtruar në spital dhe të plagosur", duke iu referuar gjashtë fëmijëve dhe një mësuesi që janë shtruar në spital, tha Ministri i Arsimit i Serbisë. 

Ministrja e Shëndetësisë Danica Grujiçiç, u shpreh se "një burrë që po bënte punën e tij dhe disa fëmijë të pafajshëm kanë vdekur. Mjerisht nuk ka asnjë mënyrë të mundshme që ata të kthehen" tha ajo duke shtuar se dy djem në spital janë në gjendje stabile.

Tetë nxënësit e vrarë ishin shtatë vajza dhe një djalë. Katër djem dhe dy vajza u plagosën.

Ende nuk dihet motivi që mund të ketë nxitur 14 vjeçarin të kryente masakrën mëngjesin e sotëm në shkollën ku studionte në Beograd.

/rtsh.al/