Policia e Shtetit, bëri të ditur se në kuadër të bashkëpunimit me homologët britanikë, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Another”, duke bërë të mundur prangosjen e Edison Mucekut, një personazh ky i dyshuar se i përket botës së krimit.
Sipas policisë, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Edison Muceku, 34 vjeç.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”., njofton policia.
Emri i Edison Mucekut, ishte në listën e operacionit të madh që u zhvillua në maj të vitit 2024, ku u lëshuan 50 urdhër arreste për emrat më të njohur të botës së krimit në vend. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Manchester, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.
/rtsh.al/