RTSH 24 Live

Aktualitet

Automotoparku, Rama: 1 miliard shikues do t’i kenë sytë në Elbasan në provat e “Formula 1”

7 orë para

Automotoparku, Rama: 1 miliard shikues do t’i kenë sytë në Elbasan në provat e “Formula 1”
 

Kryeministri Edi Rama tha të shtunën se Automotoparku i Elbasanit do të funksionojë gjatë 365 ditëve të vitit, duke ofruar shumë shërbime.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për rijetësimin e Kalasë së Elbasanit, Rama solli në vëmendje edhe rëndësinë e investimit në automotoparkun e Elbasanit.

Rama u shpreh se me “Formula 1” kalohet në 1 miliard shikues që do t’i kenë sytë në Elbasan në ato tri ditët e provave të garës.

“Por, automotoparku do të funksionojë edhe si një pikë e shumë shërbimeve, do të performojë si një pikë e edukimit të sigurisë rrugore, edukimit kombëtar të sigurisë rrugore; si pikë për gara të nivele të ndryshme motoçiklistike dhe do të funksionojë edhe si një pikë për turizmin e përditshëm për shumë e shumë arsye me muzeumin, me zonat rekreative e të tjerë”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në Xhiron e Italisë në çiklizëm, si vendi ku do të bëhet nisja e madhe.

“Kjo do të na sjellë në rastin e Xhiros 200 sytë e 200 vendeve, në tri ditë, në tri zona të ndryshme: Durrës, Tiranë dhe Vlorë, ku praktikisht për gjithë periudhën e transmetimit live nga 200 televizione të botës do të shihet Shqipëria turistike dhe do të shihet vendi për t’u vizituar”, shtoi ai.

Kryeministri i konsideroi Durrësin, Dibrën dhe Elbasanin, si tre degëzime të natyrshme të metropolit të Tiranës.

“Me këtë zhvillim me këta komponentë, besoj që më herët se vonë të gjithë ata që jetojnë në Elbasan do të jenë faktikisht, jo thjeshtë nga pikëpamja e distancës, por dhe nga pikëpamja e integrimit ekonomik dhe social, pjesë e metropolit të kryeqytetit. Kemi transformimin dhe kapërcimin e Elbasanit në një nivel tjetër. Në një nivel ku gjithë fluksi turistik që sot ka një përqendrim të madh në Tiranë, që askush nuk e imagjinonte, deri jo shumë vite më parë, që Tirana do të ishte një destinacion turistik, një qytet që në periudhën e verës ishte i vdekur faktikisht, dhe që sot është plot dhe që ka një turizëm gjithëvjetor – të jetë pjesë Elbasani i kësaj historie transformimi” tha kryeministri Edi Rama.