RTSH 24 Live

Aktualitet

Pikat kufitare në qarkun e Korçës, rritet fluksi i lëvizjeve, punohet me 4 sportele

13/08/2022

Pikat kufitare në qarkun e Korçës, rritet fluksi i lëvizjeve, punohet me 4 sportele

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kapshticës kanë qarkulluar gati 10 mijë qytetarë ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë e dalë rreth 8300 persona.

Të njëjtat burime thonë se në pikën kufitare të Kapshticës hyrjet në vendin tonë kanë qenë më të larta se daljet, duke regjistruar 6203 shtetas në hyrje të Shqipërisë dhe 3423 të tjerë të cilët janë larguar nga vendi.

Ndërkohë sa i takon pikës kufitare të Qafë Thanës janë regjistruar 4992 hyrje nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë dhe 3288 shtetas të huaj dhe shqiptarë kanë dalë nga vendi ynë përmes kësaj pike kufitare.

Mësohet se për të përballuar fluksin e shtuar të lëvizjeve aktualisht në Kapshticë po punohet me 4 sportele në hyrje dhe 4 në dalje, ndërkohë që nuk janë evidentuar radhë të gjata dhe pritje e qytetarëve, por është arritur të menaxhohet situata.

Ky fluks i rritur i hyrje daljeve i dedikohet kryesisht pushimeve të verës që emigrantët marrin në vendet ku jetojnë e punojnë duke zgjedhur që në këtë periudhë të kthehen në Shqipëri për të takuar familjarët apo edhe për të pushuar.

Por nga ana tjetër nuk mungojnë edhe qytetarët shqiptarë të cilët zgjedhin të kalojnë kufirin shqiptar përmes pikave të Qafë Thanës e Kapshticës për të pushuar diku jashtë vendit.

/rtsh/