RTSH 24 Live

Sociale

Përfundon investimi në Spitalin e Traumës, Manastirliu: Një tjetër vepër me standarde bashkëkohore

31/03/2023

Përfundon investimi në Spitalin e Traumës, Manastirliu: Një tjetër vepër me standarde bashkëkohore

Ka përfunduar rikonstruksioni i Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në korpusin spitalor të Spitalit Universitar të Traumës. Lajmi është bërë me dije nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të spitalit të ri, që sikurse thotë ajo, është ndërtuar sipas standarteve bashkëkohore.

"Pas përfundimit të Spitalit Qendror në QSUT, një vepër tjetër e rëndësishme po përfundon, investimi në godinën e sëmundjeve të brendshme në Spitalin Universitar të Traumës. Ky spital intern ka të gjitha parametrat dhe standardet bashkëkohore që ne duam të kenë spitalet tona, për të ofruar shërbime dinjitoze ndaj pacientëve. Është një spital, i cili ka kapacitete prej 60 shtretërish, me mundësi për t’u zgjeruar. Për herë të parë ne kemi edhe një investim në këtë godinë përsa i përket shërbimit të konsultave", tha Manastirliu.

Gjatë takimit me mjekët e Spitalit të Traumës, Manastirliu u shpreh se duke nisur nga muaji prill do të ketë një rritje të targetuar të pagave për mjekët specialistë, paga bazë e të cilëve do të rritet me 500 dollarë.

Gjithashtu edhe për mjekët dhe infermierët në të gjithë sistemin shëndetësor do të rritet në masën 7% këtë vit.

Në Spitalin e Traumës, ka përfunduar investimi në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, ku janë rritur kapacitetet dhe shumë shpejt do të jetë në shërbim të qytetarëve me standardet më të mira, me një kapacitet me 60 shtretër. Për herë të parë do të përfshihet edhe një strukturë ambulatore me kapacitete të shtuara, duke lehtësuar edhe korpusin qëndror nga fluksi ditor dhe duke përmirësuar edhe kohën e pritjes dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët.

/rtsh.al/