RTSH 24 Live

Politikë

Përfundimi i hetimeve për Olsi Ramën, kryeministri: Drejtësia foli me prova. Berisha, katran me bojë që fabrikon prova

4 orë para

Përfundimi i hetimeve për Olsi Ramën, kryeministri: Drejtësia foli me prova. Berisha, katran me bojë që fabrikon prova

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi publik lidhur me përfundimin e hetimeve të SPAK ndaj vëllait të tij, Olsi Rama, që hodhi poshtë akuzat e kreut të grupit parlamentar demokratik, Gazment Bardhi, për përfshirje në atë që konsiderohet si “laboratori i kokainës” i zbuluar në Xibrakë.

Rama tha se drejtësi foli me prova, teksa akuzoi Partinë Demokratike për fabrikim provash të rreme. Rama tha se PD ka përdorur vëllain e tij “si mish për top”, për të goditur atë.

Ky mesazh është një detyrim ndaj të gjithë atyre  që më kanë mbështetur duke më dhënë votën e tyre, qoftë edhe njëherë të vetme, dhe mbi të gjitha ndaj familjes sime. Vitin e shkuar deputeti Gazment Bardhi jashtënxori në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait tim, Olsi Rama. E gjykoi dhe dënoi në publik si trafikant drogë, duke krijuar rrethanat tipike të një kallëzimi të rremë, përmes një sajese kriminale mbi bazën e një dosje të vjetër të prokurorisë për një grup trafikantësh. Në atë dosje u fliska edhe për një person të paidentifikuar që nuk ishte gjetur nga Prokuroria dhe sipas zotërisë ai na qenka im vëlla. Dhe sipas tij, dy prokurorë e paskan fshehur emrin e tim vëllai për favore nga ana ime. Kam bërë durim, nuk kam dashur të flas unë para se të flasë drejtësia me provat e veta. Më në fund, SPAK deklaroi se ka arritur në përfundimin që Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paidentifikuar në dosjen në fjalë dhe se nuk ka asnjë provë që të lidhë tim vëlla me aktivitetin kriminal. Im vëlla u përdor si mish për top për të më goditur dhe rrëzuar mua në sytë e opinionit publik”, tha Rama.

Teksa akuzoi kreun e PD-së, Sali Berisha për luftë politike “vulgare” dhe të pandershme, Rama përmendi edhe akuzat e hedhura ndaj tij gjatë të gjithë viteve që ka shërbyer në politikë, duke mohuar secilën prej tyre. Rama i dha përgjigje akuzave duke nisur nga ato për dhunë në familje, e deri tek ato për vjedhje votash e lidhje me krimin.  

Kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua, s’ka për të qenë as e fundit, nga një parti e ashtuquajtur demokratike që është pengu historik i një katrani me bojë, që e ka kapur për fyti atë parti qysh në lindje të saj dhe e ka përdorur si zorrë private për të jashtëderdhur në publik të gjitha nevojat e një lufte politike vulgare. Unë jam gati të vë bast se nuk ka një akuzë të mundshme që mund të mos më ketë ardhur nga ajo zorrë në gjithë këto vite. Më kanë bërë përdhosës të familjes sime, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit kam akuzuarish-gruan time se djalin tim e kishte me babanë tim. Divorci im ka qenë tërësisht  paqësor. Siç është provuar më pas, katrani i madh ka fabrikuar një dokument gjyqi dhe e ka publikuar asokohe për ta mbështetur me një provë të rreme atë akuzë që thjesht për ta imagjinuar duhet të jesh egërsi, jo udhëheqës i popullit. Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose të treja bashkë, por jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual. Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të, ndjesë pastë, të nënës sime.

Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore, e kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën. Jo, nuk ka patur lavdi Zotit, asnjëherë probleme të shëndetit e mendor, por sigurisht nuk kishte si të mos akuzohesha dhe për këtë  nga katrani me bojë, me diplomë mjeku që i hy në hak edhe të sëmurëve më fatkeq edhe familjeve të tyre, duke i përdorur si kategori negative për llogari të luftës së tij përçudnuese politike. Më kanë bërë me 200 apartamente në Shqipëri dhe Europë dhe 200 mln dollarë, dreqi e di ku. Jo! Pastaj kur u bekuam nga Zoti me një fëmijë tjetër, e bëmë dhe ne shtëpinë tonë në periferi të Tiranës. Më kanë bërë me saraje, çnuk kanë fantazuar duke thënë me çfarë lekësh është ndërtuar puna jonë. Jo! Nuk është bërë me lekë nga asnjë burim tjetër, përveç të ardhurave nga puna e të dyve ne, burrë  dhe grua. Më kanë bërësi veten, politikanë që marr para nga firmat që hedh, që fus duart në buxhetin e shtetit. Paraja nuk ka qenë asnjëherë tundim i madh për mua.

Mi hedhin mua të gjitha në kurriz se çfarë kanë bërë vetë, apo çfarë do të ishin vetë nëse do të ishin në pushtet. Më kanë bërë përdorues droge. Jo, nuk kam përdorur ndonjëherë droga të paligjshme, më kanë dalë dhe vazhdojnë më teprojnë dy ‘droga’ çudibërse për mua, arti dhe lufta politike. Më kanë bërë kriminel. Jo, nuk kam kryer kurrë një krim. Më kanë bërë bashkëpunëtor të krimit. Jo, mua askush nuk më zgjedh dot si bashkëpunëtor dhe bashkëpunëtorët i zgjedh vetë. Më kanë bërë vjedhës votash, jo! As që e diskutoj që janë blerë vota në Shqipëri dhe që janë përzier në zgjedhjet e këtyre 30 e kusur vitesh elementë të krimit, por as e diskutoj që në një palë zgjedhje në Shqipëri, minimalisht që prej vitit 2013, leku ose elementët kriminalë nuk kanë vendosur kurrë se kush ikën apo kush vjen në qeveri dhe në bashki. Nuk ka lek e maskarallëk politik që ndryshon vullnetin e popullit”, deklaroi Rama.

Të premten (10 janar), SPAK bëri të ditur se nuk ka prova apo fakte që lidhin Olsi Ramën me trafikun e drogës dhe laboratorin e kokainës i zbuluar në Xibrakë, duke pezulluar hetimet. Hetimet për këtë çështje tha SPAK janë zhvilluar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Ka qenë kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili në mars të vitit 2024 denoncoi Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, si të përfshirë në çështjen e organizatës kriminale të Xibrakës. Bardhi publikoi disa dokumente, që sipas tij vërtetonin përfshirjen e Olsi Ramës.

/rtsh.al/