Nga Lezha, ku demokratët festuan 34- vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje lezhjanëve të bëjnë të gjitha përpjekjet për t’u bashkuar në zgjedhjet e majit. “Të rrëzojnë pushtetin e Edi Ramës”, tha ai dhe për këtë u kërkoi lezhjanëve një besëlidhje të dytë.
Berisha u kujtoi lezhjanëve sulmet që, sipas tij, i janë bërë Partisë Demokratike në vitet e fundit dhe përgjigjen kundërshtarët tha ai do ta marrin më 11 maj.
“Pak muaj na ndajnë nga dita e zgjedhjeve. Ju garantoj se sot, fitorja është tërësisht në duart tuaja, në mundin dhe djersën tuaj. Por kjo fitore kërkon para së gjithash, se siç u bashkuat me njëri-tjetrin, të bashkohemi tani në një front të gjerë me shqiptarët”, u shpreh Berisha.
Të bashkohemi me të gjithë shqiptarët që besojnë se zbrazja e Shqipërisë në këto 10 vite, është drama më e madhe në historinë e kombit shqiptar.
Berisha nuk harron të heqë paralele të rastit të tij me atë të Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ju tha lezhjanëve që pavarësisht se i kishte të gjithë kundër, arriti të bëhej president.
“Miqtë e mi. Ju i keni ndjekur zgjedhjet në SHBA. Edhe unë i kam ndjekur sigurisht. Çfarë keni parë aty? Keni parë e gjithë elita amerikane, i gjithë Hollivudi, mediat etj., me radhë në mbështetje të kandidatit kundërshtarë të Donald Trump. Të gjithë humbën, pse humbën? Humbën se ishin të shkëputur nga qytetarët amerikanë”, tha ai.
/rtsh.al/