Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) u shpreh të hënën se rastet e reja të COVID-19 janë rritur globalisht për javën e nëntë radhazi, ndërsa numri i vdekjeve gjithashtu është rritur për gjashtë javë me radhë, pas shtimit të fundit të rasteve në Indi.

Lufta globale është përkeqësuar nga shpërndarja e çekuilibruar e vaksinave në botë, pasi vendet perëndimore kanë grumbulluar vaksina, ndërsa disa vende me të ardhura më të ulëta nuk kanë marrë asnjë dozë.

Përballë këtij mosekuilibrimi, Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se COVAX-i - nisma globale për ndarjen e vaksinave - është ende mundësia më e mirë për shumë vende me të ardhura më të ulëta për të vënë nën kontroll pandeminë.

Sidoqoftë, përkeqësimi i situatës së COVID-19 në Indi kërcënon furnizimin e vaksinave për COVAX-in, pasi India e ka zhvendosur fokusin nga prodhimi i vaksinave për COVAX-in te dhënia përparësi kërkesave të qytetarëve të vet.

Sidoqoftë, mungesa e vaksinave mund të përfundojë së shpejti, pasi organizata globale e shëndetësisë do të shpallë vendimin mbi kërkesat e kompanive kineze "Sinopharm" dhe "Sinovac" për listimin për përdorim emergjent të vaksinave të tyre të COVID-19 brenda javës së ardhshme.

Kina mund të bëhet kështu i pari vend joperëndimor, vaksinat e së cilës marrin miratimin e OBSh-së.

Vaksinat kineze, veçanërisht ajo e "Sinovac"-ut, janë vlerësuar lart nga vendet që i kanë përdorur ato.

Në mes të prillit, studimet në disa vende, përfshirë Kilin dhe Turqinë, treguan se vaksina e "Sinovac"-ut ishte efektive kundër virusit, ndërsa në fillim të prillit, një vaksinë e "Sinopharm"-it mori certifikatën e parë të Praktikës së Mirë të Prodhimit (GMP) nga autoritetet hungareze.

Në muajt e fundit, vendet në Azi, Afrikë, Evropë, Oqeani, Amerikën Latine dhe Karaibe kanë marrë të paktën një dërgesë të vaksinave kineze.