RTSH 24 Live

Rajon

Perëndimi përshëndet marrëveshjen në Ohër, opozita serbe dhe ajo e Kosovës aspak optimiste

19/03/2023

Perëndimi përshëndet marrëveshjen në Ohër, opozita serbe dhe ajo e Kosovës aspak optimiste

Dakordësia e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, nuk është përkrahur nga opozita e dy vendeve.

Lidhja Demokratike në Kosovë nuk sheh asnjë sukses në arritjen e dakordësisë në Ohër, por si një humbje e mundësisë historike. Sipas kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se dakordësia nuk siguroi njohje të Kosovës, por vetëm asociacionin e komunave serbe.

 “Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike - ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë - që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë - përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë. Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më”, tha Abdixhiku.

Edhe opozita në Serbi tha se marrëveshja e arritur në Ohër vetëm sa krijoi “Shqipërinë e Madhe”. Kreu i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiç tha se do të bënin referendum ku qytetarët do të thonë fjalën e tyre për marrëveshjen.

“Përveç gjithë kësaj, brenda pak vitesh do të ndiqte plani Scholz dhe Macron për zgjidhjen e ‘çështjes së hapur të Bosnjës dhe Hercegovinës’, gjegjësisht heqjes së autonomisë së Republikës Srpska. Ndërkohë, në pushtet në Serbi do të mbetej Vuçiç, i cili do të kalonte në marshin e pestë dhe do të na shkelte edhe më fort se më parë, me mbështetjen e Perëndimit.

Krijimi i Shqipërisë së Madhe do të thoshte që trashëgimia fetare dhe kulturore serbe nuk do të ishte më serbe pas pesë deri në dhjetë vjet, sepse manastiret tona do të binin nën autoritetin e Kishës Ortodokse Shqiptare. E vetmja mënyrë për të parandaluar nënshkrimin e planit “Scholz-Macron” është një referendum ku qytetarët do të thonë fjalën e tyre për atë marrëveshje”, tha Jeremiç.

Deklaratat e opozitës vijnë në një kohë kur BE dhe SHBA ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkojnë zbatimin sa më parë të saj.

/rtsh.al/