RTSH 24 Live

Politikë

Peleshi:Djegia e karrigeve është simbol i djegies së besimit të qytetarëve

3 orë para

Peleshi:Djegia e karrigeve është simbol i djegies së besimit të qytetarëve

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi ka reaguar pas situatës të krijuar ditën e sotme në Parlament, duke theksuar se aktet e sotme nuk përfaqësojnë thjesht një aksion politik nga opozita, por janë një manifestim i qartë i dhunës së papranueshme.

Sipas tij, djegia e karrigeve është simbol i djegies së besimit të qytetarëve, ndërsa shtoi se seanca parlamentare duhet të jetë tempull i etikës dhe respektimit të ligjit, dhe jo një skenë ku ligji shkelet dhunshëm.

Më tej, kreu i grupit socialist, thekson se, nga ne pritet përgjegjshmëri, maturi politike dhe përkushtim ndaj reformave që përqafojnë vlerat europiane.

Reagimi i plotë:

“Aktet e sotme të dhunës në Parlamentin e Shqipërisë nuk përfaqësojnë thjesht një aksion politik nga opozita, por janë një manifestim i qartë i dhunës së papranueshme, që tejkalon çdo veprim radikal të mëparshëm. Djegia e karrigeve është simbol i djegies së besimit të qytetarëve, pikërisht në ditët kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për bashkimin e forcave në rrugën e hapur drejt Bashkimit Europian. Sot nga ne pritet përgjegjshmëri, maturi politike dhe përkushtim ndaj reformave që përqafojnë vlerat europiane. Seanca parlamentare duhet të jetë tempull i etikës dhe respektimit të ligjit, dhe jo një skenë ku ligji shkelet dhunshëm. Deputetët tanë nuk janë aty për t’u përleshur me këmbë karrigesh, por për të debatuar me fjalë. Deputetit nuk mund t’i tolerohet asgjë që i ndalohet qytetarit të zakonshëm. Aq më tepër dhuna”, shkruan në reagimin e tij kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi.

 

 

/rtsh.al/