Sekretari për Programin në Partinë Demokratike, njëkohësisht edhe deputet i PD-së, Arbi Agalliu tha sot në një deklaratë për mediet se parlamenti të hënën do të duhej të zhvillonte seancën më të rëndësishme të vitit për projektbuxhetin, mirëpo, sipas tij, “sot në parlament nuk u kuptua kush e ndizte dhe kush e fikte flakën”.
“Në të vërtetë, shqiptarët tashmë e kanë kuptuar qartë se vetë e ndezin e vet e fikin, sepse disa kanë halle e probleme personale me drejtësinë, sidomos me SPAK-un, e disa të tjerë përfitojnë për të kaluar në vetëm 10 minuta dhe pa asnjë diskutim, projektbuxhetin për vitin 2024”, deklaroi Agalliu.
Sipas tij, janë rreth 7 miliardë euro të cilat janë parashikuar të shpenzohen në 2024. Agalliu theksoi se nuk pati asnjë hapësirë në seancë plenare dhe në komisione parlamentare për të diskutuar, lidhur me këto shpenzime.
“Arsyeja është e qartë se kush e pengon dhe se kush i jep oksigjen kujt. Një skenar i përbashkët bllokimi. Partia Demokratike distancohet fort nga dhuna dhe bojkoti. Partia Demokratike vijon në shërbim të qytetarëve, jo vetëm me dorëzimin e amendamenteve por edhe me denoncimin çdo ditë të këtij buxheti klientelist”, tha Agalliu.
8 amendamentet e PD-së
Partia Demokratike kritikoi një ditë më parë projektbuxhetin 2024 të paraqitur nga qeveria në Kuvend për miratim. PD ka përgatitur edhe 8 amendamente, të cilat priste të shqyrtoheshin në seancën plenare.
Deputetja e PD-së, Orjola Pampuri në një prej 8 amendamenteve të paraqitura ka propozuar dyfishimin e fondit të parashikuar për kompensimin e pronarëve.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Pampuri tha se “ky amendament ka për synim që të 2-fishojë fondet e akorduara nga qeveria për kompensimin e ish-pronarëve”.
Sipas saj, buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve për vitin 2024 është 5000 milionë lekë, ndërkohë që ajo bëri të ditur se do të kërkoj që ky fond të shkojë në vlerën 10.000 milionë lekë për vitin 2024.
“Kjo do të ndihmojë jo vetëm që ky proces të mbyllet sa më pare, por që edhe kjo kategori të marrë atë çka i takon”, tha Pampuri.
Ndërsa deputetja e PD, Andia Ulliri, si përfaqësuese e rinisë në Kuvend, propozoi një rritje të investimit për programet mbështetëse për rininë që të mos ikin jashtë.
Sipas saj, ky amendament ka për synim që të 2-fishojë fondet që për zhvillimin e sportit dhe rinisë nga 576 milion lekë të shkojë në 1152 milion lekë.
“Partia Demokratike e ka ngritur si shqetësim madhor buxhetin e korrupsionit që ka sjellë qeveria në Parlament. Për këtë arsye deputetët e PD kanë hartuar 8 amendamente të cilat janë depozituar zyrtarisht në Parlament. Unë kam propozuar amendament me synim të 2-fishimin e fondeve që parashikohen për zhvillimin e sportit dhe rinisë. Në vitet e fundit largimi i rinisë është kthyer në një problem tepër shqetësues për Shqipërinë. Programet në mbështetje të rinisë dhe sportit duhet të finanohen githmonë e më tepër”., tha Ulliri për mediat.
/rtsh.al/