RTSH 24 Live

Politikë

PD-PS pa konsensus për presidentin e ri, Balla: Kushti Alibeajt nuk plotësohet, propozoni kandidat për raundin e tretë

24/05/2022

PD-PS pa konsensus për presidentin e ri, Balla: Kushti Alibeajt nuk plotësohet, propozoni kandidat për raundin e tretë

Opozita dhe mazhoranca ende nuk kanë gjetur konsensus mes tyre për zgjedhjen e presidenti të ri , edhe pse tashmë janë djegur dy raunde votimi pa u propozuar asnjë emër. Teksa kreu i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj është shprehur se kandidati i tyre duhet të pranohet nga mazhoranca, PS bën të qartë se ky kusht nuk ka për t’u pranuar.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se kushti i Alibeajt që PS të firmosë për kandidatin e tyre nuk plotësohet dhe se është absurd, pasi duhet parë nëse kandidat përmbush pritshmëritë e shqiptarëve.

“Ka një propozim nga një pjesë e opozitës që të mbështesin një kandidaturë, ka një propozim tjetër që të vazhdojmë negociatat ku ata të janë me emrat e tyre dhe ne të shohim mundësinë kush mund të jetë zonja apo zotëria që përmbush pritshmëritë e shqiptarëve dhe tonat. Kjo është çështja që unë dua të ndalem, ne jemi për të gjitha mundësitë e mundshme, me përjashtimin e vetëm të formulës të propozua nga Alibeaj që nuk është negociatë”, tha Balla.

Duke mos gjetur një gjuhë të përbashkët komunikimi me PD, Balla tha se do të zhvillojë takime me grupet e tjera të opozitës në mënyrë që të propozohet një emër kandidati për president nga ana e tyre për raundin e tretë që do të mbahet më 30 maj.

“Ditët në vijim do jenë ditë intensive bisedash me kolegët e opozitës që në raundin e tretë të shkohet me një kandidat. Ajo që është gjejë më e qartë është që nuk do ketë një kandidaturë të propozuar me 20 firma apo më shumë nga PS”, tha Balla.

Partia Socialiste nuk do të propozojë asnjë emër as në raundin e tretë, duke ja lënë këtë të drejtë opozitës dhe nëse presidenti nuk zgjidhet as më 30 maj, atëherë PS do e zgjedhë atë në raundin e katërt dhe të pestë.

/rtsh.al/