RTSH 24 Live

Politikë

Kreu i ri i shtetit/ 30 maj raundi i tretë i votimit! Alibeaj-PS: Doni një President tuajin! Balla: Kushti opozitës pa sens

24/05/2022

Kreu i ri i shtetit/ 30 maj raundi i tretë i votimit! Alibeaj-PS: Doni një President tuajin! Balla: Kushti opozitës pa sens

Pas dështimit të raundit të dytë dhe të tretë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri, Konferenca e Kryetarëve u mbledh sot, ku u caktua data 30 maj për zhvillimin e raundit të tretët të votimit.

Partia Socialiste ka ritheksuar se nuk do të propozojë asnjë emër as në raundin e tretë, duke ja lënë këtë të drejtë opozitës, por nga ana tjetër nuk ka ende asnjë propozim. Opozita ka akuzuar PS-në se nuk i ka qëndruar marrëveshjes.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar maxhorancës se nuk duan një president republike, por “një president të PS”.

Procesi domosdoshmërisht duhet të ketë sintetizim të të gjitha kërkesave, nevojave, shijeve të opozitës, por nuk është kjo thelbësorja, thelbësorja është edhe qëndrimi i palës tjetër, që nuk ka legjitimitet të zgjedhë e vetme një president. Ata nuk duan një president të republikës, por një president të tyre. Ramë dakord për një president të qartë të shkruar të thënë para mediave, ku opozita të mos ishte thjesht dhe vetëm mbushëse topi, por një palë në një proces serioz. U tërhoqën sepse e kanë të përcaktuar që duan të shkojnë te raundi i katërt. Nuk i qëndrojnë fjalës, dakordësisë. Nuk është fjala sa solide është opozita. Në këtë proces futemi si një detyrim kushtetues, politik, për qytetarët, C kishim për ti dhënë i dhamë. Zgjedhja e presidentit nuk është një proces për të treguar sesa solide është një palë. Ne marrim pjesë në këtë proces, por farë nuk bëhemi në sytë e shqiptarëve”, tha Alibeaj.

Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, u përgjigj duke deklaruar se kërkesa e opozitës, që maxhoranca të mbështesë me votat e saj kandidatin e tyre, është pa sens, duke theksuar se nuk do të ketë dakordësi nëse ky është kusht i panegociueshëm për ta.

"Si mund të thuash hajde negociojmë, unë propozoj Tabakun, Dumën, Gjekmarkaj dhe Alebeajn, edhe presidenti i bie të jetë ose Tabaku ose Duma. Ky nuk është proces. Më mirë thoni na e lini ne të zgjedhim presidentin. Ju pretendoni të keni presidentin, ne mendojmë ndryshe. Presidenti apo presidentja duhet të kalojë përmes një proces më të gjerë. Nëse mendoni që ju propozoni katër dhe mes tyre patjetër duhet të jetë presidenti, ky nuk është proces", tha Balla.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu,  i ka bërë thirrje opozitës që të dalin me një propozim të vetëm për kandidat për president. Ai u shpreh se nuk ka më kohë dhe se duhet të gjendet një kompromis.

Nuk ka kohë as për 8 as për 10 kandidatë, të gjejmë një kompromis, ajo që e bën të mundshme është të dëgjojmë njëri tjetrin, duhet të kishim çuar dje një kandidaturë, dhe duhet të çojmë në raundin e tretë një kandidat, para se të kërkojmë përgjegjësi te pala tjetër, duhet ta kërkojmë te vetja, kemi në dorë një element kushtetues, le ta dëgjojmë njëherë brenda vetes dhe të përpiqemi të gjejmë një konsensus me maxhorancën brenda një kohe të shkurtër. Më vjen keq që i them këto gjëra publikisht, por kjo ka mbetur e vetmja formë për të folur duhet të dalim me një kandidaturë”, tha Mediu.

/rtsh.al/