RTSH 24 Live

Politikë

PD përgatitet për Strasburg- Të mërkurën 40 deputetë protestojnë para PE, nesër mblidhet Kryesia

20/10/2024

PD përgatitet për Strasburg- Të mërkurën 40 deputetë protestojnë para PE, nesër mblidhet Kryesia

Demokratët do të mbledhin të hënë pasdite Kryesinë, për të përcaktuar vijimin e aksionit politik. Mbledhja vjen pas protestës së 7 tetorit dhe akteve të mosbindjes civile të deputetëve opozitarë në Parlament, sikundër edhe para nisjes së deputetëve në Strasburg.

Janë rreth 40 deputetë që, në 23 tetor në Strasburg, do të kërkojnë të ndërgjegjësojnë faktorin ndërkombëtar për situatën politike në Shqipëri, me pretendimin se në vendin anëtar të NATO-s, janë rikthyer burgosjet politike sikundër është, sipas tyre, masa e arrestit të shtëpisë për kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe dënimi me një vit heqje lirie për ish-deputetin, Ervin Salianji. Demokratet do t’i kërkojnë faktorit ndërkombëtar rritje të monitorimit për  zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Opozita, me akuzën se Qeveria nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve të lira, ka shtruar si kauzë politike krijimin e qeverise teknike, si garanci për moscenimin e institucionit të votës së lire.

Në mbledhjen e Kryesisë, Partia Demokratike mund të miratojë edhe skenarin e akteve të mosbindjes civile jo vetëm në Kuvend, por edhe në terren, ku nuk përjashtohet edhe përcaktimi i një date për bllokimin e akseve rrugore të Tiranës dhe jo vetëm.  

/RTSH/