Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike ku kryetar figuron Lulzim Basha, Indrit Sefa i ka dërgua një letër komisionerit të KQZ, Ilirjan Celibashit, ku e njofton se dokumentacioni i paraqitur në KQZ për regjistrimin e partisë është i plotë. Kjo letër vjen pikërisht pas kërkesës së Celibashit për plotësim dokumentacioni për regjistrimin e partisë dhe përfundimit të afatit të vendosur prej tij brenda 48 orësh.
Sefa shkruan se Lulzim Basha është dorëhequr nga posti i kryetarit që më datë 21 mars 2022 dhe në letër citohet edhe neni 46 të statutit të PD ku thuhet se "Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm......Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin", duke argumentuar se firmat e nënkryetarit Enlelejd Alibeaj është e vlefshme për regjistrimin e partisë.
Bazuar në këtë nen, Sefa thotë se autorizimi i lëshuar më 18 mars 2022 nga vetë kryetari në atë kohë Luzlim Basha, ku komandohet ndërkryeri Enkelejd Alibeaj, është i vlefshëm për regjistrimin e partisë në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Përfaqësuesi ligjor i PD, Sefa shkruan gjithashtu se Basha rezulton ende kryetar, pasi PD nuk ka zgjedhur një të ri që të regjistrohet në gjykatë për shkak të konflikteve të brendshme.
“Është fakt i njohur botërisht dhe që nuk ka nevojë të provohet, se prej një kohe të gjatë Partia Demokratike e Shqipërisë, partia më e madhe e opozitës, po kalon një periudhë konflikti të brendshëm, dhe në mungesë në detyrë të Kryetarit të Partisë. Për shkak se dorëheqja e Kryetarit është fakt, edhe pse nuk është pasqyruar në regjistrin e partive politike, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit te ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në kuptim të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 "Per partitë politike", i ndryshuar, funksionimi i Partisë Demokratike për aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet vendore realizohet sipas "Autorizimit të Përgjithshëm" të datës 18 Mars 2022”, shkruhet në letër.
Në fund përfaqësuesi ligjor i PD kërkon “vijimin e procedurës ligjore të regjistrimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majt 2023, duke mbajtur në konsideratë rrethanat ligjore dhe faktike si më sipër”.
Më 9 mars në mbledhjen e KQZ për regjistrimin e partive politike si subjekt zgjedhor, Celibashi njohu sipas ligjit Lulzim Bashën si kryetar i PD dhe hodhi poshtë regjistrimin e PD të Sali Berishës.
Por Celibashi tha se PD duhet të plotësojë dokumentacionin dhe se për këtë ka 48 orë afat. Sipas tij, kryetari i parisë duhet të firmosë deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për t’u regjistruar në zgjedhje.
Sipas dokumentit të firmosur nga Basha më 18 mars 2022 i deleguari mund të jetë ose nënkryetari Enkelejd Alibeaj, ose sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi ose përfaqësuesi ligjor Indit Sefa, por për Celibashin "kodi e thotë qartë se deklarata e kryetarit të partisë nuk është kompetencë por përgjegjësi, dhe si përgjegjësi ajo nuk mund të delegohet”. Pra dokumentet plotësuese duhet të firmosen nga kryetari i partisë dhe jo të deleguarit prej tij.
Sot është afati i fundit për dërgimin e dokumentacionit plotësues për regjistrimin e partisë, por duket se çështja do të përfundojë në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Nr. 272 Prot. by Rtsh Faqe on Scribd
/rtsh.al/