Partia Demokratike ka kritikuar të dielën projektbuxhetin 2024 të paraqitur nga qeveria në Kuvend për miratim. Paralelisht, PD ka përgatitur edhe 8 amendamente, të cilat i ka depozituar nëpër komisionet parlamentare dhe do t’i paraqesë për shqyrtim në seancën plenare.
Deputetja e PD-së, Orjola Pampuri në një prej 8 amendamenteve të paraqitura ka propozuar dyfishimin e fondit të parashikuar për kompensimin e pronarëve.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Pampuri tha se “ky amendament ka për synim që të 2-fishojë fondet e akorduara nga qeveria për kompensimin e ish-pronarëve”.
Sipas saj, buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve për vitin 2024 është 5000 milionë lekë, ndërkohë që ajo bëri të ditur se do të kërkoj që ky fond të shkojë në vlerën 10.000 milionë lekë për vitin 2024.
“Kjo do të ndihmojë jo vetëm që ky proces të mbyllet sa më pare, por që edhe kjo kategori të marrë atë çka i takon”, tha Pampuri.
Ndërsa deputetja e PD, Andia Ulliri, si përfaqësuese e rinisë në Kuvend, propozon një rritje të investimit për programet mbështetëse për rininë që të mos ikin jashtë.
Sipas saj, ky amendament ka për synim që të 2-fishojë fondet që për zhvillimin e sportit dhe rinisë nga 576 milion lekë të shkojë në 1152 milion lekë.
“Partia Demokratike e ka ngritur si shqetësim madhor buxhetin e korrupsionit që ka sjellë qeveria në Parlament. Për këtë arsye deputetët e PD kanë hartuar 8 amendamente të cilat janë depozituar zyrtarisht në Parlament. Unë kam propozuar amendament me synim të 2-fishimin e fondeve që parashikohen për zhvillimin e sportit dhe rinisë. Në vitet e fundit largimi i rinisë është kthyer në një problem tepër shqetësues për Shqipërinë. Programet në mbështetje të rinisë dhe sportit duhet të finanohen githmonë e më tepër”., tha Ulliri për mediat.
/rtsh.al/