RTSH 24 Live

Politikë

PD, Çollaku: Deputetë të opozitës po i hapin luftë edhe Gjermanisë, sikundër SHBA-së dhe Britanisë

17/09/2023

PD, Çollaku: Deputetë të opozitës po i hapin luftë edhe Gjermanisë, sikundër SHBA-së dhe Britanisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka komentuar të dielën votën kundër nga disa deputetë të opozitës, në lidhje me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Ekonomia qarkulluese për zhvillimin e qëndrueshëm urban në Shqipëri”.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Faceboook, Çollaku shprehet se “të votosh kundër e të bllokosh grandet (ndihmat) dhe projektet e qeverisë gjermane, është si të votosh kundër bashkëpunimit me Gjermaninë dhe me BE-në”.

Sipas tij, vota kundër e disa deputetëve të opozitës është dëshmi se “nuk ka asgjë opozitare, të paktën për një opozitë demokratike properëndimore.”

“Për opozitat me frymëzime leniniste që po lindin mbase, por për PD kjo nuk do të ndodhë kurrë”,- shkruan Çollaku.

Sipas tij, të votosh si opozitë kundër bashkëpunimit me aleatët strategjikë është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet Edi Ramës, “pasi një opozitë e izoluar e në konflikt me partnerët ndërkombëtarë është një opozitë e dobët”.

“Nëse për të fituar ndonjë biletë në rreshtin e dytë apo të tretë të “Rithemelimit” apo të LSI-së (se rreshtat e para janë zënë) u duhet të hapin luftë edhe Gjermanisë, sikundër SHBA-së dhe Britanisë… Zoti ua drejtoftë mendjen dhe rrugën, pasi këtu ndahemi pa asnjë keqardhje me këdo”- mbyll postimin Çollaku.

Çfarë parashikon marrëveshja

Sipas projektligjit, marrëveshja me Gjermaninë parashikon dhënien e një grandi me një vlerë 5.6 milionë euro, që do të alokohet nga qeveria gjermane për mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për zhvillimin e instrumenteve ekonomike me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm, për sa i takon asgjësimit të mbetjeve në landfille, në përputhje me direktivën e BE-së, edhe në 10 bashki të tjera të vendit.

/rtsh.al/