RTSH 24 Live

Politikë

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi, Hasani takon Komisionerin e Lartë për Pakicat Kombëtare

16/04/2024

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi, Hasani takon Komisionerin e Lartë për Pakicat Kombëtare

Ministri i Jashtëm Igli Hasani është takuar në Hagë me Komisionerin e Lartë për Pakicat Kombëtare, Kairat Abdrakhmanov, me të cilin diskutuan mbi përparimin thelbësor të Shqipërisë në përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ministri bëri me dije se gjatë takimit ka vënë theksin te çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë, e cila sipas tij, i privon nga të drejtat themelore, përfshirë edhe të drejtën për të votuar.

Në Hagë, në takim me Komisionerin e Lartë për Pakicat Kombëtare, Kairat Abdrakhmanov.

Diskutuam përparimin thelbësor të bërë nga Shqipëria, në përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, si dëshmi e përkushtimit tonë për të nxitur gjithëpërfshirjen dhe barazinë.

Në takim ngrita çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë, e cila i privon ata nga të drejtat themelore, përfshirë të drejtën e votës”, shkruan Hasani.

/rtsh.al/