Komedia “Karnavalet e Korçës” me regji të Erion Isait rikthehet në skenën e ArTurbina.
Kjo komedi ka korrur sukses gjatë vënieve në skenë brenda dhe jashtë vendit. Ajo ishte vepra më e mirë edhe në festivalin mbarëkombëtar të komedisë “Koko Fest”, në edicionin e tij të 11-të.
Nikollaqi, Olimbia, Afroviti, si dhe personazhet e tjerë u ngjitën në skenë nga një kast aktorësh të përzgjedhur. Aktori korçar, Arben Dervishi i cili u rikthye në skenë pas 12 vitesh shkëputje ishte në rolin e tregtarit Nikollaq Jorganxhi, aktorja Zamira Kita në rolin e Olimbisë, aktorja Paola Kodra në rolin e Afrovitit.
Shfaqja ngrihet mbi personazhet që krijoi Spiro Çomora: Nikollaq dhe Olimbi Jorganxhi, tregtarë të fuqishëm në Korçë, kërkojnë dhëndër për vajzën e tyre 36-vjeçare, Afrovitin. Martesa has në pengesat e përzgjedhjes së kandidaturave për shkak të dëshirës pa kompromis së Olimbisë për t’i blerë vajzës piano përveç prikës.
Risjellja e veprës “Karnavalet e Korçës” vjen ndryshe, si një rreth i madh vicioz bullizimi, deprimimi social, viziv, virtual, shoqëror dhe ekonomik.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/