RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Pas aksidentit tragjik me katër viktima, autostrada Levan-Vlorë “blindohet” nga Policia

26/06/2021

Pas aksidentit tragjik me katër viktima, autostrada Levan-Vlorë “blindohet” nga Policia
Aksident. Foto ilustruese

Një ditë pas aksidentit tragjik në autostradën Levan-Vlorë, ku humbën jetën 4 anëtarët e familjes Gushi, Njësia Operacionale e Tiranës “zbarkoi” në rrugë, ndërsa ka vepruar me “dorë të hekurt” ndaj të gjithë drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Radio Televizioni Shqiptar ndoqi nga afër punën e efektivëve të kësaj Njësie,  e cila zbriti në terren një ditë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 4 pjesëtarëve të familjes Gushi, e cila do të vijojë të kryejë kontrolle me radarë.
Kontrollet nisën rreth orës 08:00 të mëngjesit, ku vetëm në dy orë patrullim efektivët vendosën më shumë se 40 masa administrative për drejtues automjetesh që u konstatuan në tejkalim të shpejtësisë.
Limiti i shpejtësisë së qarkullimit në autostradën Levan – Vlorë është 110 km orë, por në të shumtën e rasteve drejtuesit e automjeteve e shkelin këtë kriter, duke rrezikuar jetën e tyre por edhe përdoruesve të tjerë të kësaj rruge.
Viktima të aksidentit, të së premtes, mbetën çifti i bashkëshortëve Eduart Gushi, 44 vjeç dhe Silvana Gushi, 33 vjeç si dhe dy vajzat e mitura: Anastasia 14 vjeçe dhe Eva 9 vjeç
Ndërkohë, po ashtu Policia Rrugore ka shtuar masat dhe prezencën e efektivëve në rrugët e konsideruara problematike në vend.
Shpejtësia tej normave të lejuara është kthyer shpesh në tragjedi të rënda dhe aksidente të tmerrshëm duke marrë jetë njerëzish. Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Rrugor, tashmë shoferëve u hiqet patenta u vihet edhe 15 mijë lekë gjobë.
Ndryshimet në kodin e ri parashikohet që për shoferët e dehur dhe ‘kamikazët’ e shpejtësisë penalitetet të variojnë nga heqja e patentës, humbja e pikëve, gjoba e  deri në rikthimin  në autoshkollë nga e para.
Kjo masë ekstreme është ndërmarrë për të disiplinuar ‘kamikazët’ në rrugë që prodhojnë tragjedi me mjetet tyre, duke ecur me shpejtësi të lartë.