RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Paqeruajtësit e OKB-së në Liban: Po na qëllojnë forca të panjohura, Izraeli kërkon të tërhiqemi

12/10/2024

Paqeruajtësit e OKB-së në Liban: Po na qëllojnë forca të panjohura, Izraeli kërkon të tërhiqemi

Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) kanë bërë të ditur se janë sulmuar nga forca të panjohura një ditë më parë.

Nga sulmet që mendohet se janë të ushtarëve izraelitë janë plagosur 5 pjesëtarë të Forcave të Përkohshme të OKB-së në Libanin jugor pranë kufirit izraelit në vetëm dy ditë.

“Mbrëmë, një paqeruajtës në selinë e UNIFIL në Naqura u qëllua me armë zjarri për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm ushtarak aty pranë... Ne nuk e dimë ende nga kanë ardhur të shtënat” thuhet në një deklaratë për mediat.

Një zëdhënës i UNIFIL thotë se përleshjet e fundit Izrael-Hezbollah në Libanin jugor kanë shkaktuar shumë dëme.

“Puna është shumë e vështirë sepse ka shumë dëme, edhe brenda bazave. Vetëm mbrëmë, në pozicionin e paqeruajtësve ganezë, shpërthimi ishte aq i fortë sa shkatërroi disa nga kontejnerët”,  i tha AFP zëdhënësi i UNIFIL Andrea Tenenti.

Tenenti tha gjithashtu se Izraeli i kërkoi UNIFIL-it të largohej nga pozicionet e tij ku po përplaset me Hezbollahun, por paqeruajtësit e refuzuan një kërkesë të tillë.

“Ata na kërkuan që të tërhiqemi nga pozicionet përgjatë Vijës Blu... ose deri në pesë kilometra  nga Vija Blu”, thotë Tenenti ndërsa shtoi se “kishte një vendim unanim për të qëndruar”.

/rtsh.al/