RTSH 24 Live

Aktualitet

Palmer me “kampionët” e Reformës në Drejtësi: SHBA krah jush, ndërsa ndryshoni kulturën e ngulitur të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë!

07/04/2021

Palmer me “kampionët” e Reformës në Drejtësi: SHBA krah jush, ndërsa ndryshoni kulturën e ngulitur të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë!
 

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, zhvilloi ditën e djeshme një “vizitë virtuale” në Shqipëri, ku bisedoi me krerët e politikës, si kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha, por edhe me ata që ambasada amerikane në Tiranë i cilësonte si “kampionët” e Reformës në Drejtësi.

Në një mesazh sot në “Facebook”, ambasada e SHBA-së në Tiranë zbardhi detaje nga takimi virtual i Palmer me “kampionët” e Reformës në Drejtësi në Shqipëri nga institucionet shtetërore, institucionet e pavarura të drejtësisë, media, shoqëria civile dhe fusha akademike.

Gjatë diskutimit të tyre, Zv. Ndihmës Sekretari Palmer ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e reformës në drejtësi dhe përkushtimin e tyre për demokratizimin, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri.

Ai njohu punën e të gjithë pjesëmarrësve në përparimin e reformës në drejtësi dhe sundimin e ligjit, duke u thënë se përkushtimi i tyre është thelbësor për të çuar më tej përparimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe po i mundëson vendit të bëhet një demokraci më e fortë.

“Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ajo ka filluar të tregojë rezultate tashmë – dhe ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim ndërsa ju ecni përpara për të zbatuar reformat, si me përkrahjen tonë, ashtu edhe me programet tona të ndihmës… Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krah jush ndërsa ju ndryshoni kulturën e ngulitur të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri”, tha Zv. Ndihmës Sekretari Palmer.

“Zyrtarët amerikanë presin me kënaqësi të vijnë për t’u angazhuar ballë për ballë me kampionë të tjerë të reformës në drejtësi kur situata pandemike të mbarojë. Aktiviteti i djeshëm ishte vetëm fillimi, pasi mbështetja e SHBA për reformën në drejtësi do të vazhdojë”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
 
Por, kush janë “kampionët” e Reformës në Drejtësi?
 
Ambasada amerikane ka publikuar edhe disa foto nga biseda e Palmer me njerëzit, që kanë në dorë Reformën në Drejtësi.
 
Siç shihet në foto, “kampionë” të kësaj reforme janë disa personazhe të njohur në vendin tonë, duke nisur me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kreun e SPAK, Arben Kraja, prokurorin e Përgjithshëm, Olsjan Çela, si dhe Ardian Dvorani.
 
Ndërkohë, siç shihet në foto “kampion” i Reformës në Drejtësi është edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, si dhe disa gazetarë të njohur, si Sokol Balla apo Mero Baze.
 
Emrat e të gjithë “kampionëve” të Reformës në Drejtësi: Etilda Gjonaj, Vitore Tusha, Mero Baze, Sokol Sadushi, Arjon Dyrmishi, Aurela Anastasi, Afrim Krasniqi, Erida Skëndaj, Artur Metani, Arben Kraja, Olsian Çela, Yuri Kim, Naureda Llagami, Gent Ibrahimi, Andi Dobrushi, Gjergj Erebara, Erinda Ballanca, Emanuela Ajasllari, Sokol Balla dhe Ardian Dvorani.