RTSH 24 Live

Europë

Orban: Shpejtoni zgjerimin! Pa Serbinë në BE, Ballkani do të jetë i paqëndrueshëm

09/10/2024

Orban: Shpejtoni zgjerimin! Pa Serbinë në BE, Ballkani do të jetë i paqëndrueshëm

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka kritikuar BE-në lidhur me politikat e saj të zgjerimit, ku tha se prej 20 vitesh nuk po mbahet premtimi për anëtarësimin e disa vendeve kandidate që kanë plotësuar kriteret.

Orban tha se procesi i zgjerimit të Ballkanit duhet të përshpejtohet, ndërsa shtoi se pa Serbinë në BE nuk do të ketë një rajon të qëndrueshëm.

"Ne respektojmë premtimet tona për zgjerimin. Procesi i zgjerimit të Ballkanit duhet të përshpejtohet, është i rëndësishëm nga pikëpamja gjeopolitike, ekonomike dhe politike për BE-në. Pa anëtarësimin e Serbisë Ballkani nuk mund të stabilizohet, nëse Serbia nuk është anëtare e BE-së, Ballkani do të vazhdojë të jetë një rajon i paqëndrueshëm. Më shumë vende kandidate plotësojnë kriteret teknike për anëtarësim, por ka mungesë konsensusi midis shteteve anëtare. 20 vjet më parë kemi bërë një premtim dhe sipas presidencës ka ardhur koha që ta respektojmë këtë premtim”, tha Viktor Orban duke folur në Dhomën Evropiane.

Hungari mban kryesimin gjashtëmujor të BE-së,  ku Orban ka folur edhe për një sërë çështjesh të tjera, mes të cilave edhe emigracioni.  

“Kufijtë evropianë duhet të mbrohen. Ju premtoj se pa krijimin e pikave të nxehta të jashtme nuk do të mund ta mbrojmë BE-në nga imigracioni i paligjshëm. Sistemi i azilit sot ka nuk punon. Emigracioni i paligjshëm ka nxitur dhunën ndaj grave, antisemitizmin dhe homofobinë. Le të krijojmë një sistem të vërtetë Shengen, një lloj Këshilli Shengen me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive”, shpjegoi Orban, duke nënvizuar se modeli mund të jetë ai i Eurosamitit.

/rtsh.al/