RTSH 24 Live

Politikë

Opozita protestë para Bashkisë Tiranë, i vihet flaka gomave të makinës

05/07/2024

Opozita protestë para Bashkisë Tiranë, i vihet flaka gomave të makinës

Më pak se 60 minuta protestë ka zhvilluar opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para Bashkisë Tiranë.

Përfaqësues të opozitës dhe qytetarët u mblodhën para bashkisë ku kërkuan largimin e Erion Veliajt, ku i vunë flakën disa gomave, të cilat u shuan nga efektivët e policisë.

Ndryshe nga herët e tjera në këtë protestë nuk u hodh molotov, por vetëm objekte të ndryshme në drejtim të Bashkisë Tiranë.

Belind Këlliçi tha SPAK në vend që të arrestojë Erion Veliajn si kryetarin e grupit të strukturuar kriminal, janë kthyer në mburojën e tyre.

“Apeli i GJKKO kërkon thellimin e hetimeve, kërkon që të zbardhë të gjitha lidhjet për aferën 5D. Po çfarë bëri SPAK dhe Altin Dumani? Arrestuan në mënyrë të turpshme Ilir Beqajn, hajdutin 2 metrosh, jo për miliona euro që ka vjedhur me koncensionet në shëndetësi, por për faturat e drekave dhe darkave me fondet e BE-së. Pra amnisuan hajdutin 2 metrosh nga vjedhja e madhe që u ka bërë parave të shqiptarëve. Çfarë duhet të ndodhë më me këtë kryetar Bashkie që ai të dorëhiqet? Një pjesë janë në burg, një pjesë janë dorëhequr, një pjesë shumë shpejt do të shkojnë në qeli. Çfarë duhet të ndodhë më në këtë vend që Edi Rama të dorëhiqet, kur ca i ka në burg, ca i ka në arrati dhe të tjerë janë kandidatë për në burg? Ndaj ftoj qytetarët, edhe ata që janë skeptikë, që të bashkohen në protestën e 11 korrikut”, tha Këlliçi.

Shembja e Teatrit Kombëtar, inceneratori i Tiranës, dosja 5D që lidhet me arrestimin e 3 ish-drejtorëve të Bashkisë janë arsyet kryesore të protestës së opozitës.

/rtsh.al/