RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Operacioni anti-drogë në Skrapar, GJKKO jep masat për 23 të arrestuarit, 16 lihen në burg, 7 lirohen

09/01/2021

Operacioni anti-drogë në Skrapar, GJKKO jep masat për 23 të arrestuarit, 16 lihen në burg, 7 lirohen

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar la këtë të shtunë në fuqi të gjitha masat e sigurisë për 16 të arrestuarit nga operacioni "Gjergova" në Skrapar. 
Nga togat e zeza u dhanë 16 masa sigurie "Arrest në burg", 4 masa sigurie “Arrest në shtëpi”, 3 masa “Detyrim paraqitjeje”.
Mes tyre ishin edhe katër policët që shpërdoruan detyrën duke dekonspiruar operacionin anti-drogë.
Prokurorët Vladimir Mara dhe Altin Dumani i qëndruan kërkesës për 16 arreste në burg, ndërsa pjesa tjetër detyrim paraqitje e arrest shtëpie.
Gjatë së premtes, SPAK lëshoi 23 urdhër arreste, ndër të cilët edhe efektivë policie dhe zyrtarë, të cilët akuzohen për pastrim parash dhe për kultivim kanabisi. 
Të gjitha  urdhër arrestet e fismosura u ekzekutuan nga policia e shtetit.
Të përfshirët në këtë operacion të organizuar këtë të premte, kishin krijuar një skemë, sipas së cilës, pasi efektivët blu njoftonin trafikantët, këta të fundit  shkulnin kanabisin brenda natës e kur policia shkonte për kontroll gjente vetëm gropa bosh. 
Kjo binte ndesh edhe me monitorimet e Guardia di Finanza, pasi kjo e funditfotografonte parcelat me drogë. Madje ka dyshime se policët u vidhnin drogën trafikantëve.
Pas një hetimi 7 mujor, u faktuan  16 episode kultivimi e trafikimi droge në Skrapar, duke filluar nga 20 gushti 2020 deri më 17 shtator 2020. 
Gjatë hetimit të këtij procedimi penal u sekuestruan gjithsej 5045 bimë narkotike të llojit “cannabis sativa”, si dhe janë sekuestruar 176 kg lëndë narkotike e paketuar në gjendje të thatë, e gatshme për t’u trafikuar.