RTSH 24 Live

Botë

OBSH për rekordin e ri të rasteve me tuberkuloz në botë

30/10/2024

OBSH për rekordin e ri të rasteve me tuberkuloz në botë

Një numër rekord prej 8,2 milionë rastesh me tuberkuloz u diagnostikuan në botë vitin e shkuar, numri më i lartë ky i regjistruar që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë nisi monitorimin e kësaj sëmundjeje në vitin 1995.

Në raportin e saj botëror për tuberkulozin, OBSH-ja vë në dukje sfidat që vijojnë në adresimin e tuberkulozit, siç janë mungesa e financimeve në luftën kundër tij.

Ndërsa numri i humbjeve të jetëve nga tuberkulozi ra nga 1,32 milionë në 2022-in në 1,25 milionë vitin e shkuar, numri total i personave që u infektuan me virusin që shkakton sëmundjen u rrit nga 7,5 milionë dy vite më parë në 8.2 milionë vitin e shkuar.

Megjithatë jo të gjitha rastet janë diagnostikuar dhe OBSH-ja pretendon se faktikisht vitin e shkuar me tuberkuloz u infektuan 10,8 milionë persona në të gjithë botën.

"Është ulëritës fakti që tuberkulozi ende vret dhe sëmurë kaq shumë persona kur kemi mjetet për ta parandaluar, gjurmuar dhe trajtuar," u shpreh kreu i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus, ndërsa u kërkoi të gjitha vendeve të marrin masat për t’i dhënë fund sëmundjes.

Sipas raportit, më shumë se gjysma e rasteve u shënuan në Indi, Indonezi, Kinë, Filipine dhe Pakistan, dhe 55 për qind e të prekurve ishin burra, 33 për qind gra dhe 12 për qind fëmijë e adoleshentë.

Tuberkulozi, sëmundje e parandalueshme dhe e kurueshme, shkaktohet nga bakterie që zakonisht prekin mushkëritë. Sëmundja përhapet përmes ajrit, kur të infektuarit teshtijnë, kolliten apo pështyjnë.

Numri i madh i rasteve vitin e shkuar u shkaktua nga pesë faktorë kryesorë: kequshqyerja, infektimi me HIV/AIDS, çrregullimet në përdorimin e alkoolit, diabeti dhe duhanpirja. 

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/