RTSH 24 Live

Politikë

Nurellari: Viti ‘97 shkatërroi shanset e Shqipërisë për anëtarësim në NATO

05/04/2024

Nurellari: Viti ‘97 shkatërroi shanset e Shqipërisë për anëtarësim në NATO

Analisti Adri Nurellari ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se trazirat e vitit 1997 shkatërruan shanset e Shqipërisë për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Duke folur me rastin e 75-vjetorit të NATO-s, Nurellari theksoi se Shqipëria ka pasur një shans historik për t’u bërë pjesë e Aleancës pas viteve ’90, por që i humbi si mundësi.

Ne kemi pasur një shans historik si pak vende të tjera. Aq më tepër që atëherë ka pasur një vullnet të mirë perëndimor që Shqipërisë t’i jepnin më tepër ndihmë për të ecur shpejt përpara sepse mendonin se ishte vend i vogël dhe me pak ndihmë se vendet e tjera duke qenë se ishte shkëputur nga influenca ruse shumë më herët, mund të hynte më para dhe të jepte entuziazëm dhe optimizëm procesit. Krejt e kundërta ndodhi! Nga vend i vogël dolën probleme shumë të mëdha”, tha Nurellari.

Sipas Nurellarit, trazirat e vitit 1997 ishin ato që hodhën në erë edhe shanset për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ndërsa shtoi se u deshën konjukturat politike dhe gjeopolitike që Shqipëria të bëhej pjesë e NATO-s në 1 prill të vitit 2009. 

Pak më pas, në 1997-n patëm një shkërmoqje të shtetit, aq sa ky vend që është më homogjeni në Evropë, i rrethuar nga shqiptarët nga të gjitha anët, u detyrua që vendet e NATO-s të organizonin me ndihmën e Italisë të sillnin një mision ushtarak paqeruajtës që të na mbronte ne nga njëri-tjetri. Kemi një proces shumë të dhimbshëm në këtë aspekt të shanseve të humbura. Sepse në rrethana normale, Shqipëria do të duhet të ishte futur në NATO bashkë me Poloninë, me vendet e Vishegradit që në vitin 1999. Por ne nuk u futëm as në 1999-n, as në 2004, por vetëm në 2009. Dhe aty me një konjukturë të caktuar politike dhe një kontekst gjeopolitik që na ndihmoi”, u shpreh Nurellari. 

/rtsh.al/